Partia Demokratike e ka arritur një fitore ‘të rëndësishme’ në Tiranë. Në Njësinë 9 në kryeqytet 2 qendrat e votimit në burgjet 302 dhe 313 i kanë dhënë besimin PD-së në këto zgjedhje.

Edhe pse ka humbur thuajse në të gjithë Shqipërinë Lulzim Basha ka marrë besimin e të burgosurve të kryeqytetit.

Në qendrën e Votimit 1967, që i përket burgut 302 në Tiranë, Partia Demokratike ka marrë 67 vota ose 53.60% të besimit të burgosurve të këtij institucioni të vuajtjes së dënimit në kryeqytet duke shënuar një rritje nga zgjehjdet e 2017 që mori 38 vota ose 42.22 % të tyre. Ndërsa PS ka marrë në qendrën e votimit të burgut 302 në Tiranë 43 vota e përkthyer në 34.40 %.

LSI ka marrë vetëm 7 vota ose 5.6 % duke shënuar një rënie të konsiderueshme edhe në institucionet e burgut, ku në 2017 ka marrë 12.22 % ose 11 vota. 2 vota në burgun 302 në Tiranë kanë shkuar për kandidatin e pavarur Bojken Abazin.

Në qendrën tjetër të votimit, në atë 1967/1 që korrespondon me burgun 313, ende nuk janë publikuar rezultatet në faqen zyrtare në KQZ .