Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e lagjes 5 të qytetit, drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi, foli për zhvillimin e sektorëve të tjerë, si programe të qeverisë pas 25 prillit që do të ndikojnë drejtpërdrejt tek rritja e ekonomisë.

Sipas Peleshit, Korça do të shndërrohet në qytetin e mundësive kryesisht për të rinjtë. Më tej kandidati për deputet, Niko Peleshi, prezantoi edhe projektin madhor të ngrohjes së qytetit me gaz, projekt i cili sipas tij është në fazën e hartimit.

“Të gjitha investimet që ne kemi projektuar kanë një qëllim dhe ne do të punojmë më shumë pas 25 prillit. Është ekonomia, ekonomia kombëtare, lokale, e gjithësecilit në familje. Të sjellim në vëmendje si u bë Korça qyteti më turistik në Shqipëri.

E bëmë Korçën më të bukur edhe për të rritur ekonominë përmes turizmit. Ky model tani vazhdon, siç ndërtuam turizmin si sektor ekonomik, duam të zhvillojmë sektorë të tjerë për të shkuar tek finalja që është përmirësimi i jetës së gjithësecilit në mënyrë që të rinjtë tanë të mos kenë arsye të largohen nga Korça.

Unë zotohem se do të punoj në krah të kryetarit të bashkisë që Korça të jetë vendi i mundësive për të rinjtë për ta ndërtuar këtu jetën dhe familjen duke jetuar me të ardhura sikur të jetonin në Europë.

Ne po punojmë për një projekt që është ngrohja e qytetit, duke përdorur një shans të madh që na e dha gazsjellësi Tap. Kështu që ne e kemi gazin, na duhet vetëm të shtrijmë tubacionet në çdo shtëpi dhe ta përdorim gazin për ngrohje e për gatim duke e ulur me disa fish koston.

Të ulësh kosto do të thotë që ndikon realisht në mirëqënien e familjeve tona. Ky është projekti që po punojmë tani dhe angazhohemi se do e bëjmë realitet në vitet në vijim. Ata të tjerët premtojnë që do të ulin të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe do të rrisin shpenzimet.

Nuk kanë asnjë argument bindës se si do të arrijnë atje ku premtojnë. Në fushën e taksave, nuk kam parë asnjë parti që të vijë me premtimin se do e bëjë taksën nga 0 në 9% sepse premtojnë taksën e sheshtë.

Biznesi i vogël sot paguan zero TVSH, ata kërkojnë ta çojnë 9%. Ky është lajm i mirë për 3% të popullsisë.”-përfundoi Peleshi.