Turi i takimeve elektorale për Partinë Socialiste dhe kandidatët e saj vijoi në Njësinë Administrative Voskopojë.

I ndalur në fshatin Gjonomadh dhe Lavdar, drejtuesi politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, përmendi ndryshimet e mëdha në punët e bëra në fshat pas reformës administrative territoriale ndërsa duke u nisur nga situata tejet pozitive në buxhetin e shtetit nuk ngurroi të premtonte punë më të mëdha që do të rrisin mirëqënien në fshat. Për këtë Peleshi kërkoi besimin me votë në 25 prill për të ecur me një ritëm më të shpejtë.

“Sapo erdhëm në pushtet bëmë një ndryshim që i hapi rrugë ndryshimeve në fshatra, reformën territoriale administrative. Komunat nuk bënin dot punë në parcela, në ndriçimin e qytetit apo në kanalet vaditëse dhe kulluese, pasi nuk kishin buxhet. U bë punë sa nuk ishte bërë në 20 vite. Jemi në një fshat që ka bërë emër me produket e veta bujqësore edhe përtej Korçës. Do të ndërtojmë një treg të vogël të mbrojtur dhe estetik për produktet bujqësore pasi ju me ato mbaheni. Këtu ka shumë fluks, turizmi ka sjellë me vete klientë për të blerë produket bujqësore. Jemi në një situatë pozitive për zgjidhjen e problemeve. Kemi kaluar vite të vështira, sot i kemi lënë pas. Sot buxheti i shtetit është më i shëndetshëm, ka mundësi të përballojë punë të mëdha. Vota në 25 prill për Partinë Socialiste do të thotë jo thjesht të vazhdojmë punën me ritmin që kemi patur deri tani por t’i japim mundësi Shqipërisë të ecë me një ritëm më të shpejtë. Tani nuk kemi qindra miljona borxhe pasi e kemi mbyllur atë periudhë”, u shpreh Peleshi në Gjonomadh.

Nw takimin tjetër në Lavdar ai u shpreh se “ne kërkojmë votën në 25 prill pasi besojmë se ata të tjerët nuk bëjnë dot më mirë se Partia Socialiste”.

“E kemi treguar në 30 vite histori. Partia Demokratike nuk flet asnjëherë për punë të kryera, për vazhdim të punëve. Gjithmonë e nxin ato që janë kryer dhe kur vjen në pushtet fillon me zhbërjen e punëve të kryera. Ata as vaksinimin nuk e përshëndesin, por e quajnë gabim. Partia Demokratike jo vetëm që nuk e përshëndet vaksinimin por i fton njerëzit në shkeljen e rregullave antikovid në grumbullime masive. Njerëzit janë lodhur nga paligjshmëria dhe zgjedhjet e kaluara e konfirmuan këtë. 25 prilli është përplasje e atyre që ecin mbrapsh dhe Partisë Socialiste që ecën përpara. Unë kam ardhur t’ju kërkoj mbështetjen së pari për Partinë Socialiste që ka numrin 12 në listë. Tani është koha të bëjmë punët për ju, që nga kanalizimet e deri tek ujësjellësat, rrugët dhe gjithçka tjetër që ka nevojë fshati. Lavdari është shumë pranë Korçës që ka nisur një tjetër epokë të ndritur, atë të turizmit. Është koha që dhe ju të bëheni pjesë e këtij poli. Në rast se lidhim mirë Voskopojën me Lavdarin, atëherë të dyja do të kthehen në një vend të rëndësishëm turistik”-përfundoi fjalën e tij Peleshi.