Pjerin Xhuvani është përcjellë për në banesën e fundit pasditen e sotme. Me dhimbje dhe lot familjarët, miqtë dhe të afërmit i kanë dhënë lamtumirën e fundit mjekut të njohur, që disa vite më parë u bë pjesë e politikës, e cila i mori jetën ditën e djeshme pas përplasjes në lagjen “5 Maji”.

Por si është gjendja e të plagosurve?

Gazetari i ABC, Aldo Kozarja raporton se dhëndri i Xhuvanit, Eltjon Bodinaku ndodhet në reanimacion te reparti i Kirurgjisë. Mjeku Nikollaq Thana i tha ABC-së se gjendja e Bodinakut është e qëndrueshme, por është ende në terapi intensive.

Efektivja e policisë Xhensila Sota pritet që nesër të lerë spitalin, pasi ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Efektivja mori një plumb në këmbë në tentativë për të parandaluar ngjarjen kriminale.

Por cfarë po ndodh në kampin e PD-së?

Tre furgonë me logon e PD-së që qarkullonin në Elbasan janë sekuestruar pas ngjarjes së djeshme. Ndërkohë që Aldo Kozarja raportoi se PD nga furgonë të bardhë, që kishte për të qarkulluar në rrugët e qytetit për të mbrojtur votën tashmë ka marrë disa të tjerë gri.