Shumë pak orë na ndajnë nga procesi i votimit në vendin tonë, i cili do të nisë në orën 07:00 dhe do të mbyllet në orën 19:00.

Presidenti Ilir Meta do të hapë procesin, pasi pritet të votojë në orën 07:00, në qendrën e votimit, në Kopshtin nr.31, Rruga “Pjetër Bogdani” në Tiranë.

Kryeminsitri Edi Rama pritet të votojë në Surrel në orën 10:30 mëngjesin e së nesërmes.

Kryetari i PD, Lulzim Basha do të votojë në orën 09.00 në qendrën e votimit 1929 pranë çerdhes nr.13, Rr. Demir Gashi, Njësia 8.

Gjithashtu ditën e nesërme ambasadorja Ursula Gacek e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, do të japë një deklaratë për shtyp jashtë qendrës së votimit nr. 1729/1730 tek Liceu Artistik “Jordan Misja”, në Rrugën e Elbasanit, në orën 11:00.

Pasditen e sotme u mbyll shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha KZAZ-të e 12 qarqeve.

Do të jenë në gatishmëri 5427 policë në zgjedhje, ndërsa repartet e ushtrisë kanë zëvendësuar policinë në ruajtjen e objekteve të ndryshme.