Historia e gangsterit në serialin “Peaky Blinders” ka bërë për vete meshkujt dhe femrat në mbarë botën.

Femrat sepse vdesin për djemtë e këqij pas të cilëve tërhiqen gjithnjë dhe djemtë sepse argëtohen shumë me historitë e familjeve mafioze dhe filmat aksion.

Deri tani, ky serial ka pesë sezone të cilat kanë fiksuar publikun para ekranit dhe fatkeqësisht pandemia Covid-19 i vonoi xhirimet e sezonit të ri, aq sa u mendua se s’do të kishte më një të tillë.

Mirëpo, lajmi i mirë që na erdhi më herët është që sezoni i gjashtë gjithashtu kishte nisur xhirimet, të cilat tashmë janë drejt fundit. Prej disa ditësh, xhirimet kishin ndaluar për shkak të infektimit me Covid-19 të një prej anëtarëve të stafit, siç u tha. Mirëpo, pasi ka bërë testin, personi në fjalë ka rezultuar negativ, ndaj xhirimet do të vazhdojnë sërish.

‘Xhirimet u ndaluan në Peaky Blinders për shkak të një rezultati të rremë pozitiv të testit për një anëtar të ekuipazhit. Në përputhje me protokollin, ky person mori një test NHS dhe kushdo që ra në kontakt me ta u izolua – siguria e ekipit tonë në Peaky Blinders është e një rëndësie të madhe. Testi NHS është kthyer negativisht dhe xhirimet do të rinisin si normalisht nesër.’- tha zëdhënësi i serialit për “Mail Online”.

Mediat e huaja bëjnë me dije se aktorët kanë xhiruar edhe në Skoci, kryesisht në lagjen më historike të qytetit Castlefield.

Setet e reja po portretizojnë Birminghamin, vendndodhjen aktuale, ku edhe janë rregulluar vendet me pajisje për të paraqitur ashtu siç është më së miri vendet se ku bëhen xhirimet.

Lajmi i keq për fansat e këtij seriali është fakti që sezoni i gjashtë do të jetë edhe i fundit siç ka konfirmuar shkrimtari dhe krijuesi Steven Knight.

“Peaky Blinders” është një ndër serialet më influencues në mbarë botën, që tregon historinë e një familjeje gangsterësh e vendosur në vitin 1919 në Birmingham, dhe shefit të saj badass, Tommy Shelby i portretizuar nga Cillian Murphy.

Tommy është një veteran i Luftës së Parë Botërore që e përndjekin makthet e luftës çdo natë. Ai është bosi i madh i familjes që është përfshirë në aktivitete të ndryshme të paligjshme (baste dhe tregti e zezë). Tommy sheh një mundësi për të zgjeruar fuqinë e familjes së tij, kur i bie në dorë një sasi e madhe armësh, vendndodhja e të cilave nxit Winston Churchill – asokohe një zyrtar i ri qeveritar – të dërgojë Kryeinspektorin Neill Campbell (Sam Neill) për t’i tërhequr ato.

Tommy nis planet për të përfituar nga kontrabanda, por Campbell, ka planet e tij të fshehta që përfshijnë edhe një femër bjonde super tërheqëse (Annabelle Wallis) e përdorur si agjente e fshehtë për t’i shkrirë zemrën e ngurtë gangsterit.

Kujtojmë se fatkeqësisht, pak ditë më parë u nda nga jeta aktorja e famshme e “Peaky Blinders”, Helen McCrory.