Nga Mero Baze/ Partia Demokratike është kompleksuar nga zërat për largimin e Lulzim Bashës dhe po harxhon energji se si të argumentojë mbajtjen apo largimin e tij. Ky në fakt nuk është një debat real. Debati real në Partinë Demokratike, është debati që nuk është zgjidhur kurrë dhe ka të bëjë me Sali Berishën.

Njeriu që nuk është larguar pas çdo humbje dhe që ka prodhuar çdo humbje në atë parti, është Sali Berisha. Ai ka përbaltur çdo garë brenda Partisë Demokratike dhe është përpjekur të legjitimojë çdo humbje të saj përballë kundërshtarëve. Ajo është kultura e tij politike.

Vetë zgjedhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, është fryt i një gare të prishur me dhunë prej tij, mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit. Më pas e bëri dhe më brutale këtë gjë në garën e dytë të Bashës me Eduard Selmain, duke lejuar që Basha të prishte çdo standart brenda PD-së, dhe nga ana tjetër duke i thënë privatisht Eduard Selamit, se bëre gabim që nuk denoncove vjedhjen e votave, çka ai në të vërtetë e bëri me shumë forcë.

Ai është sërisht diktuesi i këtij debatit të sotëm. Dhe është si kumbari i një familje mafioze, që terrorizon për të diktuar se çfarë duhet bërë.

Është ai që ka nxjerrë kandidatë fallco kundër Lulzim Bashës, që në fund thonë “më mire të kthehet Sali Berisha”, duke e bërë qesharake gjithçka.

Por nëse dikush e merr seriozisht dhe kërkon heqjen e Lulzim Bashës, janë prej 30 vitesh dy tropojanë tek selia e PD që e rrahin dhe zbojnë, njësoj si Eduard Selamin më 1995, Pollon më 2000, e më pas këdo që ngre zërin.

Është Sali Berisha ai që terrorizon Lulzim Bashën me kritikë fallco për të mos njohur zgjedhjet, duke i dhënë garanci personale se do ta mbrojë ai, dhe është i njëjti që ja largon me dhunë kundërshtarët realë.

Është ai që nuk hapi gojën kur Basha largoi rivalët e tij real nga partia, Bregu, Topalli, Patozi, Bode etj, dhe i njëjti që bën sikur është dakord me kritikët e Bashës që duan të kthehet Sali Berisha.

Ai është “Godfatheri” që ka kthyer partinë në një grumbull njerëzish të nënshtruar ndaj familjes së tij mafioze.

Që Partia Demokratike të diskutojë për zgjedhje të lira brenda saj, duhet ta nisë duke zbuar një herë Sali Berishën dhe duke u distancuar prej tij.

Anëtarësia e Partisë Demokratike është më e emancipuar se të emëruarit e Sali Berishës në krye të saj.

Kryeqyteti i Shqipërisë, me rreth 400 mijë votues, i ka dhënë vetëm 6 mijë vota Sali Berishës, shumë më pak nga të rinjtë e asaj partie që nuk i ka njohur askush. Mjerisht dhe më pak se Flamur Noka.

Kjo do të thotë se miti i Sali Berishës si udhëheqës popullor është një mit i rremë, i mbajtur me dhunë prej familjes së tij mafioze.

Ai është sot njeriu më i pavotuar ndër liderët shqiptarë, krahasuar me Fatmir Mediun, nëse llogarisim që ka konkurruar në qarkun që ka një të tretat e votave të vendit.

Ky është një tregues i fortë, që ai mban pushtetin me dhunë në krye të PD, pasi votuesit e saj ja kanë dhënë ndëshkimin.

Tani në Partinë Demokratike nuk do të ketë asnjë garë nëse nuk largohet ai.

Nëse kandidatët në garë do shkojnë të falen tek “Kumbari” i partisë, para se të hyjnë në garë, nëse ai do vazhdojë të mbajë banditë për të frikësuar rivalë të kandidatit për kryetar, PD nuk ka për të zgjedhur kurrë një kryetar partie, por një ushtar të tij.

Ndaj mos e nisni me Lulzim Bashën, se ky është film i parë me kohë. Niseni me Sali Berishën, nëse doni të shpëtoni Partinë Demokratike. Falë tij dhe deklaratave të tij të papërgjegjshme, dje gjithë bota perëndimore përshëndeti brenda gjysëm ore zgjedhjet shqiptare si legjitime dhe transparente, kur pa se si një fantazëm e demokracisë shqiptare, filloi të kërcënojë përsëri.

Ai ishte ndëshkimi më i madh që bota perëndimore, nën iniciativën e SHBA, i dha brenda gjysëm ore një deklarate të papërgjegjshme, të një njeriu që ka marrë peng 30 vjet Shqipërinë, dhe që fyen Perëndimin dhe SHBA, duke e akuzuar se “mbështet një narkoshtet”.

Është mirë që PD të reagojë dhe ta kuptojë mirë këtë mesazh, dhe të mos ngelet e menderosur më vonë, kur të gjendet para ndonjë ndëshkimi dhe më të hidhur për të, që do të fundosë më shumë PD-në.

Lulzim Basha mund të japë dorëheqjen dhe të rihyjë në garë, mund dhe të iki në Holandë në shtëpi, por nëse në krye të qoshes do jetë sërisht “Kumbari” që drejton partinë, gara nuk ka asnjë kuptim.

Lulzim Basha apo dikush tjetër, mund ta marrin atë parti vetëm kur shqiptarët të shikojnë se ata e nisën atë garë, duke nisur të distancohen nga e keqja reale e asaj partie.

Çdo figurinë tjetër që mendon se mund të fitojë si i mbështeturi i Berishës në atë parti, mund ta marrë partinë, por Shqipërinë kurrë më.

Kur të mateni ta bëni këtë film të vjetër, kujtoni 25 qershorin.