Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar sot një takim me banorët Njësisë nr. 8 në Tiranë, me të cilët ka folur për shqetësimet e tyre dhe zgjedhjet e 25 prillit.

Në fjalën e saj, kryemadhi është shprehur se bashkë me Edi Ramën do të ikë edhe varfëria, edhe papërgjegjshmëria që e ka kapur këtë shtet.

“Këto janë tupanët e ndryshimit, këto janë tupanët e sjelljes së vlerave kombëtare shqiptare, që rilindja kërkoi ti tjetërsojë. I jam shumë mirënjohëse të rinjve të LRI-së, të cilët nuk ndalen në asnjë moment për t’i ofruar çdo vlerë kombëtare shoqërisë së tyre. Sot dua të falënderoj të gjithë organizatorët e këtij takimi. E tha pak më përpara Petriti, që ishim te Njësia 7, tek Njësia 2, sot jemi te Njësia 8, por ajo që është akoma më e rëndësishme dua të theksoj që këtu në këtë vendi, e tha edhe Klevi, përpara disa muajsh, njerëzit, fëmijët u nxorën në orët e para të mëngjesit me gaz lotsjellës dhe jo pa qëllim ne sot këtë takim e bëjmë këtu.

E bëjmë këtu për t’ju dhënë fjalën të gjithë qytetarëve të të gjitha zonave informale, sepse kështu për hir të së vërtetës ne politikanët i kemi quajtur, që jo vetëm do ti dëmshpërblejmë për çdo qindarkë, por do tu dalim për Zot legalizimeve të të gjithë qytetarëve, jo vetëm të Tiranës, por kudo, në Elbasan, në Shkodër, në Lezhë, në Durrës, në Lushnje, në Fier, në Korçë e kudo. Sepse historia e legalizimeve në Shqipëri është bërë ‘një përrallë nga e kaluara’. Është bërë një përrallë që ka mbi 15 vjet që diskuton dhe qarkullon mbi një ligj ku thuhej ‘legalizim’ dhe pastaj ‘urbanizim’ dhe rilindja e ndërroi ‘urbanizim’ dhe pastaj ‘legalizim’.

Por në asnjë vend të botës ku demokracia është thelbësore, në raste të tilla ku një familjar paguan dritat, ujin, taksat dhe çdo detyrim ligjor, jo vetëm që është i legalizuar, por është super i legalizuar, se ashtu sikurse shteti i merr taksat, ashtu e ka për detyrë ti legalizojë, ti regjistrojë pronën, në mënyrë të tillë që gjithë kjo ekonomi e bllokuar për shkak të legalizimeve, që është përdorur si një mekanizëm korruptiv dhe politik, ti japim fund njëherë e përgjithmonë. Jo vetëm këtu te ‘Bulevardi i Ri’, por edhe tek Unaza e Re. Vepra korruptive e cila nuk solli gjë tjetër, por vetëm korrupsion dhe nxori në pah se si vidhen paratë e taksapaguesve shqiptarë, tregon haptas edhe njëherë atë çfarë rilindja u bën qytetarëve tanë.

Rama ka ikur, por bashkë me Ramën do të ikë edhe varfëria, edhe papërgjegjshmëria që e ka kapur këtë shtet. Bashkë me Ramën do të ikë edhe papërgjegjshmëria, sepse ne më shumë se kurrë sot duam për familjet tona të ecim përpara dhe ti kemi qytetarët tanë të denjë qytetarë evropianë.- tha Kryemadhi.