Mjeku i njohur Tritan Kalo u kërkon qytetarëve që të mos e refuzojnë mundësinë e vaksinimit kundër COVID-19. Kalo shprehet se numri i të shtruarve vërtet ka rënë kohët e fundit, fatmirësisht edhe humbjet e jetëve, por kërkon ende kujdes maksimal për zbatimin e masave.

Gjithashtu doktori ka një apel edhe për të rinjtë kur u kujton që mosha e të shtruarve në spitalet COVID varion nga 31-vjeç.

Kohë kovidiane…. 11.04.2021…. Dita e punës fillon herët në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUNT/Covid-1….Turni i parë është aty duke u përkujdesur me dashuri e profesionalizëm, për të së prekurit nga forma të rënda të infeksionit Sars-Cov2/Covid-19….Mosha e të shtruarve varion nga 31-72 vjeç, me ose pa sëmundje bashkëshoqëruese….

Numri i të shtruarve vërtet ka rënë kohët e fundit, fatmirësisht edhe humbjet e jetëve të të prekurve nga kjo “flamë mbarëbotërore”, por kemi ende udhë për të bërë deri sa njëzëri të thërrasim fitore!!!….

Në ndërkohë miq, të afërm, kolegë e bashkëkombas mos e nënvlerësoni efektshmërinë e trinomit të masave: MHD (Maskë, Higjenë personale e kolektive, distancim fizik kur dhe ku është e mundshme), si dhe mundësinë e të vaksinuarit me rastin më të parë që ju ofrohet….

T’i mundësojmë vetes një jetë me sa më pak rrezikshmëri nga virusi jetëlëndues e jetëmarës i Sars-Cov2/Covid-19….Përkushtimi, Puna, Profesionalizmi dhe Përkujdesja e jonë ndaj jush kurrë nuk do të mungojë…Together forever! shkruan Kalo.