Mbretëresha Elizabeth feston për herë të parë ditëlindjen e saj pa bashkëshortin, Princin Philip, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë.

Mbretëresha ka lindur më 21 prill të vitit 1926 dhe sot është 95-vjetori i saj. Në shenjë respekti për të ndjerin e ndarë nga jeta dhe për zinë që po mban për të, Mbretëresha ka vendosur që të mos ketë asnjë organizim për ditëlindjen e saj.

Ajo tha se ishte prekur thellë nga mbështetja dhe mirësia e treguar nga publiku pas vdekjes së Dukës së Edinburgut, ndaj i ka falenderuar të gjithë për ngushëllimet e urimet e ditëlindjes.

“Me rastin e 95-vjetorit tim kam marrë shumë mesazhe urimi, që i vlerësoj shumë.

Ndërsa si familje jemi në një periudhë trishtimi të madh, ka qenë një ngushëllim për të gjithë ne të shohim dhe të dëgjojmë telegramet ngushëlluese që i bëhen burrit tim, nga ata brenda Mbretërisë së Bashkuar, Komonuelthit dhe në të gjithë botën. Familja ime dhe unë do të doja t’ju falenderoja të gjithëve për mbështetjen dhe mirësinë që na treguat ditët e fundit. Ne jemi prekur thellë dhe vazhdojmë të kujtojmë se Philip kishte një ndikim kaq të jashtëzakonshëm në njerëz të panumërt gjatë gjithë jetës së tij”- ka shkruar Mbretëresha.

Për t’i thënë lamtumirën e fundit bashkëshortit të saj, Mbretëresha Elizabeth la dhe një shënim mbi arkivolin e të ndjerit. Shënimi u kap nga disa fotografë dhe në të dallohej se ishte shkruar “Të dua” dhe “Lilibet”.