Surprizon vaksina kineze anti-COVID e Sinovac, ku në bazë të studimeve të fundit të publikuara në prestigjiozen amerikane New York Times efektiviteti i saj arrin në 83.5 përqind.Rezultatet e fundit për vaksinën erdhën nga institucionet shëndetësore në Brazil dhe Turqi, aty ku edhe vaksina është shpërndarë masivisht.Në provat e mëparshme klinike të saj, vaksina kineze kishte rezultuar efektive deri në 50 përqind kundër infeksioneve simptomatike dhe asimptomatike.

Ndërkohë që më parë kompania kineze “Sinovac” njoftoi se vaksina CoronaVac është “efektive dhe e sigurt” tek fëmijët e moshës prej 3 deri në 17 vjeç.Sinovac, deri tani është e shpërndarë në 15 vende të ndryshme të botës, duke siguruar imunitetin e miliona njerëzve në të gjithë globin. Ndër të parat që autorizoi vaksinën është Turqia në 13 janar dhe presidenti i saj u vaksinua të nesërmen me të duke treguar edhe njëherë shkallën e lartë të besimit që kishte ai tek vaksina.

Sinovac është një vaksinë inaktive pasi ajo funksionon duke përdorur pjesëza të vdekura të virusit për të ekspozuar sistemin imunitar të trupit ndaj tij. Sinovac përdor një mënyrë më të butë se shumë prej vaksinave të tjera për të “prezantuar” trupin e njeriut me virusin e për ta luftuar atë. Një nga avantazhet kryesore të Sinovac është se mund të ruhet në një frigorifer standard në 2-8 gradë Celsius, si vaksina e Oksfordit.