Në të gjithë vendin janë vaksinuar 310 mijë qytetarë, ndërsa sot ka nisur vaksinimi i operatorëve turistikë për të bërë të mundur që në këtë sezon veror turistik që po afron, strukturat tona hoteliere të jenë COVID-free.

Kryeministri Edi Rama pa nga afër ecurinë e këtij procesi teksa deklaroi se pas operatorëve turistikë në radhë do të jenë kategori të tjera, si punonjësit e fasonerive dhe transportuesit e udhëtarëve.

“Sot është e rëndësishme të informohen të gjithë operatorët turistikë se qeveria është gati për të vaksinuar personelin e strukturave hoteliere, duke nisur nga ato të bregdetit, që janë ato që kanë edhe masën më të madhe të turistëve”, tha Rama.

Sipas tij, vaksinimi na jep garanci më shumë për turistët që do të vijnë e do të gjejnë hotele që janë të lira nga COVID.

“Të gjithë të aplikojnë në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit”, apeloi Rama.

Kryeministri më tej informoi se do të vijohet procesi i vaksinimit me kategori të tjera që janë punonjësit e kompanive me material porositës dhe transportuesit e udhëtarëve që janë në një zonë risku të konsiderueshme.

“Kemi filluar hartimin e listave me DPSHTRR për të gjithë transportuesit e udhëtarëve që edhe ata të jenë jashtë zonës së riskut”, tha Rama.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi se deri tani janë 310 mijë të vaksinuar në të gjithë vendin, ndërsa në Durrës janë 20 mijë. Sipas saj, në këtë fazë të parë janë regjistruar 2 mijë operatorë turistik për tu vaksinuar.