Disa nga shërbimet më të përdorura në e-Albania mbeten ato të Sigurimeve Shoqërore, që u mundësojnë qytetarëve të verifikojnë në kohë reale kontributet e paguara, për llogari të ligjit të Sigurimeve.

“Në e-Albania, si të punësuarit edhe ata që paguajnë kontribute vullnetare apo të vetëpunësuarit në bujqësi kanë akses të menjëhershëm për të kontrolluar kontributet e paguara nga vetë ata ose nga punëdhënësi i tyre. Falë mundësisë që e-Albania u ofron qytetarëve për të verifikuar në kohë reale kontributet e deklaruara dhe të paguara, sot në platformë regjistrohen mbi 182,033 aplikime online vetëm për të marrë vërtetimet e sigurimeve shoqërore”, shkruan drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj.

Sipas saj, shërbime të tilla jo vetëm lehtësojnë qytetarët për të mos shkuar në zyrat e shtetit, por krijojnë mundësi të reja për të verifikuar kontributet e derdhura nga punëdhënësit e tyre, thjesht dhe shpejt, përmes llogarive personale në e-Albania.

“3 vërtetime online, që qytetarët të mund të kontrollojnë në e-Albania, kontributet e paguara të Sigurimeve Shoqërore, duke u eliminuar një ‘barrë’ të madhe, sikurse është kursimi i mbi 20 viteve kohë në radha apo ecejake në zyrat e ISSH-së”, vijon Karçanaj.

Duke e cilësuar edhe si një nga shërbimet e suksesshme, pasi u erdhi në ndihmë qytetarëve sidomos gjatë periudhës së karantinës, Drejtoresha e AKSHI-t thekson se meritat i takojnë qeverisë, për punën e pandalur në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve publike.

“Rreth 95 mijë aplikime online regjistrohen vetëm në 2020-n, vitin më të vështirë ndonjëherë, kur megjithatë qytetarët u shërbyen shumë normalisht nga e-Albania, e cila mundësoi ofrimin e shërbimeve publike në çdo orë të ditës, 24 orë gjatë 7 ditëve të javës, duke i ofruar qytetarëve, mundësi për të aplikuar online nga zyra, shtëpia, smartfoni apo kompjuteri”, përfundon Drejtoresha Karçanaj.

Vërtetimi për pagimin e kontributeve për individin dhe të sigurimeve shoqërore; Vërtetimi i pagesës së kontributeve vullnetare dhe vërtetimi i pagesës së kontributeve të të vetëpunësuarve në bujqësi gjenerohet në e-Albania në moment, me vulë elektronike, për çdo të punësuar apo të vetëpunësuar.