100 mijë dozat e vaksinës kineze Sinovac kanë mbërritur pasditen e sotme në vendin tonë. Ulja e avionit u prit nga ministrat Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu dhe Arben Ahmetaj. Manastirliu bëri me dije se pas dy javësh do të nbërrijnë edhe 100 mijë vaksina të tjera për të vijuar fushatën e vaksinimit me qëllim që të kryhen 500 mijë vaksinime deri në maj. Ndërsa theksoi se do të kryejnë të gjithë procedurat për të vijuar vaksinimin që u vonua me 48 orë për shkak të protestës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Ndërsa Ahmetaj tha se Këshilli i Ministrave dha autorizimin për të negociuar për 50 mijë doza të vaksinës ruse Sputnik V që pritet të vijnë gjatë ditëve të ardhshme. Balluku: Vaksinat arritën të ulen pas një greve të paligjshme të kontrollorëve të trafikut ajror. Sot arritëm që të bëjmë fluturimet esenciale dhe padyshim ky është fluturimi më i rëndësishëm, Air Albania sjell 100 mijë vaksina të tjera.

Manastirliu: Ngjarja e paprecedentë që ndodhi dje vuri në risk planin e vaksinimit masiv që ka filluar dhe pritej ditën e djeshme ardhja e dërgesës së dytë prej 100 mijë dozash të vaksinave. Falë përpjekjeve madhore, arritëm që 100 mijë vaksinat e Sinovac të uleshin në Shqipëri. Pikërisht nga kjo vonesë, plani ynë u shty 48 orë. Imagjinoni çfarë do kishte ndodhur nëse nuk do ishin bërë këto përpjekje madhore pasi dihet çfarë lufte e madhe bëhet për të siguruar vaksinën kur një shtet heziton apo nuk ka mundësi t’i marrë, atëherë një vend tjetër që është në pritje i merr.

Ajo çfarë ka ndodhur është se kemi arritur ti sjellim vaksinat në një kohë të shpejtë dhe të vazhdojmë planin tonë të vaksinimit. Na duhet koha e nevojshme për të kryer të gjitha procedurat për të vijuar në ditët e ardhshme me hapjen e fashës së grupmoshës +65 dhe +60 vjeç. Kemi arritur që vetëm në 2 javë, pra në datën 25 të vinin 192 mijë vaksinat nga Sinovac dhe pas dy javësh të kemi dhe 100 mijë vaksina që i shërbejnë vaksinimit të popullatës dhe në përpjekje të jashtëzakonshme për të kryer 500 mijë vaksinime deri në maj.

Ahmetaj: Asgjë s’do na ndalojë të kryejmë 500 mijë vaksinime për qytetarët shqiptarë në luftë kundër pandemisë. Numrat janë në rënie, ne kemi filluar ta mundim atë flamë dhe plani i vaksinimit do të vazhdojë me shpejtësi për të arritur ato objektiva që kemi. Ne jemi duke negociuar me vende mike, me prodhues dhe distributorë të autorizuar. Dje kemi marrë nga Këshilli i Ministrave autorizimin për të negociuar për 50 mijë doza Sputnik që do vijnë në javët e ardhshme. Do vazhdojnë të vijnë Sinovac dhe të hënën ose të martën do të vijnë të tjera. Besoj që shqiptarët e shohin që përpjekja do të jetë e madhe, intensive. Përpjekja për të sabotuar sjelljen e vaksinave dështoi.