Nga Njësia 5 në Tiranë, ku së bashku me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, zhvilluan takimin e radhës së fushatës elektorale, ministri Pandeli Majko, ka thumbuar kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili u shfaq një ditë më parë në Durrës me dy ish-anëtarë të Partisë Socialiste në këtë qytet. “Kryetari i opozitës dhe kandidati për kryeministër kishte ofruar një protokoll të veçantë për dy ish-socialistë të stresuar që kishin vendosur të linin Partinë Socialiste ku ishin rritur dhe të shkonin tek zyra e kryetarit të Partisë Demokratike. Kandidati për kryeministër iu thoshte: “mirëserdhët në partinë e shpresës”! A janë vërtetë partia e shpresës këta që vite më parë u larguan nga parlamenti dhe braktisën të gjithë obligimet e tyre kushtetuese sepse ishin të stresuar? A janë këta partia e shpresës të cilët nuk pranuan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, sepse ishin pak të stresuar dhe sot kërkojnë që këtë stres t’ia kalojnë gjithë shoqërisë shqiptare? Nuk janë parti e shpresës. Po të ishin parti e shpresës, sot kryetari i Partisë Demokratike do kishte në zyrën e tij dy ish-nënkryetarët e Partisë Demokratike që kanë krijuar parti më vete dhe jo dy ish-socialistë të stresuar nga Durrësi,” tha Majko.

Deputeti socialist kishte një thirrje për të gjithë qytetarët që në 25 Prill t’i drejtohen kutive të votimit. “Çdokujt që sot që ka akoma dilemën nëse duhet të rrijë në shtëpi ditën e votimit i them: Shikoni shembullin e atyre të cilët për stres lanë qindra njerëz, familje, njerëz me halle shëndeti, një shoqëri që priste vaksinat, një NATO që priste stërvitjen në mes të katër rrugëve! Mos imitoni ata kontrollorë që lanë aeroportin e Shqipërisë në mes të katër rrugëve! Mos imitoni ata njerëz të cilët me rroga milionëshe lanë njerëz në ditë të hallit! Askush nga pala opozitare nuk bëri atë që i takon një opozite, të bashkohej me të gjithë zërin e politikës dhe të thoshte që ky është interes kombëtar, ky nuk është interes qeveritar. Këtu preket Shqipëria, nuk preket thjesht qeveria. Është dallim shumë i madh midis nesh dhe atyre. Ne i fillojmë gjërat nga Shqipëria, ata i fillojnë gjërat nga vetvetja,” u shpreh Pandeli Majko. Për të gjitha këto arsye ai kërkoi nga banorët e Njësisë 5 të votojnë së pari numrin 12: “12-ta është e para, pastaj vijmë ne të tjerët,” tha Majko.