Kryeministri Rama ishte sot në qarkun e Beratit dhe ndaloi në fshatin Drobonik, ku inspektoi ndërhyrjet që po bëhen për përmirësimin e shtresave asfaltike, në segmentin Berat – Drobonik.

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo tha se fshati Drobonik ka ndër prodhimet më të larta ushqimore në vend sidomos për ullinjtë dhe qershitë, ndërsa sa i përket investimit infrastrukturor ai tha që ka rreth 30 vjet që kërkohet nga banorët e zonës.

Banorët e Drobonikut tashmë mund të përfitojë nga një premtim i realizuar përmes një kontrate me vlerë rreth 48.95 milionë lekë me TVSH. Projekti përfshin rrugën që fillon në fund të lagjes Gorricë të qytetit të Beratit dhe përfundon në qendër të fshatit Drobonik me gjatësinë prej 5.5 km.

Ministri Klosi tregoi edhe që fshati Drobonik ka vlera kulturore, pasi në kishën e fshatit është xhiruar filmi i Skënderbeut, si dhe nga ana tjetër aty ka nisur të zhvillohet tashmë sporti i hedhjes me parashutë, nga Mali i Partizanit, për të cilin ka filluar edhe një projekt rigjelbërimi.

“Kjo është një rrugë që edhe sot frekuentohet shumë nga turistët, pasi në sistemin e rrugëve figuron si rrugë e vjetër, ndërtuar para Luftës së Dytë Botërore dhe ka shërbyer edhe zyrtarisht për lidhjen e Beratit me Gjirokastrën. Bërja e kësaj rruge shënon një nga pesë hyrjet e reja të Beratit, duke e lidhur Beratin tashmë, jo vetëm me hyrjen klasike drejt Lushnjes, që deri para 2013 ishte pothuajse e pakalueshme. Tashmë Berati ka 6 hyrje të reja, një strategji e re e cila do të sjellë shumë fryte,” tha ministri Klosi duke përmendur edhe shtimin e numrit të strukturave akomoduese e duke premtuar që Berati do të ketë më shumë mbështetje për agroturizmin.

“Berati si destinacion turistik nuk është vetëm një premtim i realizuar, por një pol i fortë turizmi për të gjithë atë që ne e kemi quajtur Toskanën e re në Shqipërinë e Jugut. Nuk kemi industri të rënda që e prishin zonën Berat-Përmet. Nuk ka asnjë copë tokë të pambjellë, banorët këtu janë të jashtëzakonshëm dhe punojnë 24 orë në ditë,” përfundoi ministri Klosi.