Nga Mustafa Nano/

Sonte dua të flas pak për Albim Kurtin, i cili sapo është futur, për herë të dytë në zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Hera e parë ishte shumë e shkurtër, por hera e dytë është e sigurt se do të zgjasë katër vjet. E nëse Albin Kurti do të jetë i suksesshëm, ky katërvjeçar edhe mund të përsëritet. Unë do të doja shumë që Albin Kurti të ishte i suksesshëm. Do të doja shumë për një numër arsyesh, të cilat ju mund t’i merrni me mend. Por kam edhe një arsye individuale, personale, që unë e lus suksesin e Albin Kurtit. Pikërisht kjo arsye ka të bëjë me albinistët, të cilët më ngacmojnë në mënyrë të veçantë. Unë do të doja që Albin Kurti të fitonte, sepse nuk do të doja të zhgënjeheshin albinistët, ata që e kanë votuar Albinin, që e duan dhe që të punojnë qindin në emër dhe në mbrojtje të Albinit. Ata të deklarojnë bandit, të korruptuar, të shitur, tradhtar, renegat e nuk di se çfarë tjetër.

Nuk ka nevojë për shumë ilustrime në mbrojtje të asaj që thashë, por do të përdorja një rast shumë të freskët. Programi i njohur komik “Portokalli”, në shfaqjen e parë të këtij sezoni të ri, ata kishin krijuar si personazh edhe Albin Kurtin. Ata përpiqeshin të parodizonin figurën e njohur të Albinit, ashti siç kanë bërë edhe me politikanë të tjerë shqiptarë, të Tiranës e të Prishtinës. Kjo është më se normale. Mirëpo, albinistët nuk bien dakord me këtë gjë. Ju ftoj, të hyni ne YouTube dhe të kërkoni me fjalët “Albin Kurti Portokalli”, klikoni, por mos u fokusoni te videoja. Kontrolloni poshtë te seksioni i komenteve, dhe aty do të kapeni në befasi, do të bëni një zbulim interesant. Do të zbuloni se shumica e atyre që komentojnë në atë video janë albinistë. Madje, kam frikë se janë që të gjithë albinistë.

Dhe ata çfarë nuk thonë për programin “Portokalli” me këtë rast, mëkati i vetëm i së cilës ishte që mori guximin “e pacipë” të parodizonte udhëheqësin e tyre politik. Madje, ata thanë gjëra kundër “Portokallisë”, të cilat nuk i kanë thënë as për armikun e tyre par excellence Hashim Thaçi. E bukura është se “Portokallia” nuk e përsëriti për herë të dytë atë skeç. U tremb! Ose të paktën kjo është përshtypja që m’u krijua mua. Kjo është arsyeja ime personale për të cilën unë do të doja që Albin Kurti t’i fitonte këto zgjedhje, sepse nuk do të doja që këta njerëz që janë me qindra e mijëra në Kosovë të zhgënjeheshin. Kur zhgënjehen njerëz të tillë, mua më kap frika.

Mirëpo duhet thënë se ekziston një mundësi që Albini t’i zhgënjejë. Ai që në nisje i ka vënë vetës një barrë shtesë, po kërkon një rol të veçantë në Shqipëri. Po kërkon të lërë shenjë, të diktojë zhvillimin në Shqipëri. Madje në këto momente, ai po kërkon të bëjë atë që bëri në Kosovë: të fitojë zgjedhjet dhe për këtë arsye ai ka krijuar në Shqipëri filialin e “Vetëvendosjes”. Më duhet ta them që në fillim se mua ky më duket një veprim i nxituar, një veprim i gabuar. Edhe sikur ta dinim se Albin Kurti ka motivimet më të fisshme në këtë ndërmarrje, sido që unë nuk besoj të jetë kështu, edhe sikur ta dinim pra se do të ishte kështu, ky veprim do të ishte sërish i gabuar.

Të gjithë albinistët e Shqipërisë, të cilët nuk besoj se janë shumë, të gjithë njerëzit pra që i kanë përzemër idetë e Albinit dhe të “Vetëvendosjes” (që nuk e di se cilat janë duke përjashtuar anti-korrupsionin që për momentin mbetet deklarativ) mund ta kenë të drejtën ta krijojnë një parti mbështetur mbi këto ide të Albinit e partisë së tij, por nuk kanë pse t’i marrin emrin “Vetëvendosjes”, sepse e bëjnë pis atë emër, e komprometojnë, e përfshijnë më së koti, në këtë moment kur “Vetëvendosja” është e virgjër. Ajo sapo ka dalë nga një palë zgjedhje, ka dalë fitimtare duke fituar në mënyrë spektakolare, ka marrë një mandat për të qeverisur Kosovën, një mandat i cili nuk është një mandat i thjeshtë qeverisës në fakt. Nga mënyra se si albinistët e lexojnë fitoren e “Vetëvendosjes”, ky është një mision për t’u përmbushur. Dhe është ky fakt që e bën mandatin qeverisës një sfidë të madhe dhe të jashtëzakonshme.

Por të kuptohemi, askush nuk beson se “Vetëvendosja” do të jetë e suksesshme në Shqipëri. Nuk është suksesi i supozuar i “Vetëvendosjes” që trazon shpirtra, apo prish punë këtu në Shqipëri, por natyra furacake e kësaj aventure. Albin Kurti nuk ka pse të shtojë në ekuacionin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës këtë lloj ambicie, grandomanie të tijën, këtë lloj dëshire të madhe për të luajtur një rol në Shqipëri, apo në të gjithë botën shqiptare. Ai nuk ka pse t’i takojë autoritetet e Tiranës në të ardhmen si rivali i tyre, ndërkohë që mund të takohet ashtu siç duhet të takohet, si mik, si bashkëpunëtor, si partner, si interlokutor.

Kam përshtypjen se ai vet do të ishte shumë i zemëruar nëse Edi Rama, apo Lulzim Basha, do të merrnin vendimin për të krijuar filiale të tyre (respektivisht të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike) në Kosovë. Dhe me të drejtë do të ishte i nervozuar dhe i zemëruar, sepse lëvizje të tilla janë trashamane, janë futje hundësh në punë që nuk u përkasin. Politika shqiptare bëri një gjë shumë të mirë gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë duke mos u përfshirë fare. Nuk është se për këtë gjest do të duhej t’i jepnim medalje, sepse nuk ka kuptim t’i japësh medalje dikujt për faktin se nuk bën diçka që nuk i takon ta bëjë. Unë mendoj se edhe Albin Kurti duhet të sillet në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, atij i është mbushur mendja se ai ka lindur, apo se i është caktuar një detyrë nga një fuqi supreme në qiell, për të ndrequr punët e shqiptarëve. Por edhe sikur ai ta besojë këtë gjë, unë i sugjeroj t’i merrte punët me radhë, dhe të ndreqë punët e Kosovës fillimisht. Kosova, për momentin, si sfidë del e tepron.

Nëse ai ia del të zgjidhë hallet e Kosovës, nëse ia del të fuqizojë ekonominë e vendit, të shtojë vendet e punës, të rrisë rrogat dhe mirëqenien, të luftojë korrupsionin (anti-korrupsioni ka qenë kali i tij i betejës në zgjedhjet e fundit elektorale, dhe gjatë gjithë aktivitetit politik), nëse ia del t’i garantojë kosovarëve të drejtën e lëvizjes së lirë në Europë, nëse e bën Kosovën të hijshme, me një imazh të përfillur në skenën ndërkombëtare, nëse realizon njohjen ndërkombëtare të Kosovës, etj., etj., ai ka bërë gjënë më patriotike të mundshme. Nëse supozojmë sot se këto gjëra do të realizohen, nuk do të bënim keq ta shpallnim që sot Albin Kurtin si një nga figurat më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

Albin, kam dëshirë t’ju drejtohem ju tani nëfund. Me siguri e keni marrë këtë vendim për krijimin e “Lëvizjes Vetëvendosja” në Tiranë si një ide gjeniale. Por nuk është e tillë, Albin. Është e kundërta. Duke ju kërkuar ndjesë për mënyrën se si po e përcaktoj, për mua krijimi i “Vetëvendosjes” në Tiranë është një lëvizje budallaqe dhe mistrece. Duhet ta pranoni këtë, i dashur Albin, dhe duhet të ndërhyni. Duhet të jepni urdhër që Lëvizja Vetëvendosja në Tiranë të shpërbëhet, të shpërndahet, të shkërmoqet, të shkrihet. Sa më shpejtë, aq më mirë!