Një kaos i vërtetë ajror në dhjetor 2010 përfshiu Spanjën nga një grevë 72 orëshe e kontrollorëve të trafikut ajror, shkruan Hugo Gutierrez për gazetën më të madhe spanjolle ”El Pais”.

Gjykata dënoi 131 kontrollorë të trafikut ajror në aeroportet e Madridit ”Barajas” dhe ”Torrejón”, si edhe menaxherin e aeroportit ”Enaire’, me akuzën për grevë të fshehtë dhe me gjoba prej 15 000 dhe 31 500 eurosh për krimin e braktisjes së shërbimit publik.

Për më tepër, gjykata i dënoi të akuzuarit të paguanin edhe shumën prej 13 076 981 eurosh për palët e dëmtuara, bashkërisht dhe veçmas, së bashku me kompaninië publike ”Enaire”, si përgjegjësi plotësuese civile.

Gjykata Penale e Madridit mori në dhjetor 2020 vendimin përfundimtar në çështjen lidhur me grevën e dhjetorit 2010 të kontrollorëve ajrorë, që krijoi kaosin më të madh të këtij lloj në Spanjë deri më tani.

Një plan kolektiv i kontrollorëve të ajrit, të cilët protestonin kundër përkeqësimit të kushteve të tyre të punës të diktuar nga ekzekutivi spanjoll, shkaktoi anulimin e 5 000 fluturimeve, me 700 000 pasagjerë të prekur të trafikut ajror.

Konflikti u zgjidh me gjendjen e alarmit dhe marrjen nën kontroll të kullave dhe qendrave të kontrollit nga trupat e ushtrisë.

Kjo situatë bëri që qeveria e kryeministrit José Luis Rodríguez Zapatero të shpallte një gjendje alarmi, për herë të parë në Spanjë, për 43 ditë.