Ervin Salianji dhe Edmond Spaho janë përplasur sërish në ambjentet e selisë së Partisë Demokratike në qarkun e Korçës. Burime bëjnë me dije se shkak për këtë është bërë përcaktimi i komisionerëve që do të merren me numërimin e votave.

Teksa kandidatët e tjerë kanë marrë secili komisionerë, Spaho është gjendur pa asnjë përfaqësues. Kjo ka nxitur edhe revoltën e drejtuesit politik të qarkut i cili ka debatuar për minuta të tëra me ish deputetin e PD-së Ervin Salianji.

“Je bërë si Koçi Xoxe, të shkoi jeta me skenarë si të Babales”, mësohet t’i jetë drejtuar Spaho, çka ka ashpërsuar edhe më tej debatin.

Ndërkohë, sipas burimeve, duke ju referuar shkresës së sekretarit të përgjitshëm Gazmend Bardhi për ndarjen e komisionerëve, Salianji është përgjigjur: “Edmond ti je një mashtrues ndërsa Gazi një falsifikator që manipuloni udhëzimet e Bashës”.

Spaho nga ana e tij ka nxitur dyshime dhe pretendime se çështja e komisionerëve po përdoret si “truk” nga Salianji për të marrë vota në emër të tij në të gjitha KZAZ-të e qarkut.

Le të kujtojmë se kjo është përplasja e disatë që ndodh mes tyre. Më herët, një përplasje që shkoi deri në konflik fizik u regjistrua edhe mes kryetarit të degës Andrea Mano dhe Salianjit të cilët u përplasën për ndarjen e zonave të përfaqësimit.