Frika më e madhe e prindërve në pandemi, si për çfarëdo tjetër, janë fëmijët. Por, studimet e shumta i nxorën ata më të mbrojturit. Së paku deri në moshën 12 vjeç.

Nga atëherë, shumë teza kanë qarkulluar mbi arsyet përse të vegjlit janë më imunë se të rriturit dhe si vepron virusi kur bie në kontakt me ta. Sipas shefes së Infektivit të Pediatrisë, Gjeorgjian Kuli, kjo u dedikohet disa faktorëve, përfshirë imunitetit të fortë, vaksinave të detyrueshme si dhe pranisë së shtuar të vitaminës D.

“Fëmijët duke pasur mundësi për të rënë në kontakt me koronaviruset e tjera, ato kanë krijuar disa antitrupa edhe ndaj Covid-19.

Fëmijët dhe lakuriqët e natës, ku virusi qëndron në gjendje të fjetur, por nuk jep sëmundje, sekreton një sasi më të madhe melatonine. Kjo është një substancë antiinflamatore që luan një rol të rëndësishëm për t’u mbrojtur ndaj Sars-Covid-2″, deklaroi Kuli dje gjatë forumit shkencor për pandeminë dhe fëmijët.

Ndonëse të pakta në numër, edhe në vendin tonë nuk kanë munguar rastet e rënda te fëmijët, ku virusi ka qenë aktiv. Sipas të dhënave të deritanishme, rreth 170 fëmijë janë shtruar në spitale përgjatë një viti, nga të cilët njëzet raste kanë shfaqur komplikacione të rënda dhe u përkasin qyteteve të Tiranës, Elbasanit dhe Sarandës.

Tipar i veçuar në këto raste janë komplikacionet e zgjatura shumë në kohë dhe rëndimi i shëndetit pasi të vegjlit kanë kaluar virusin. Dy prej tyre, me sëmundje të tjera shoqëruese, nuk ia kanë dalë përballë virusit.