KQZ ka vendosur përfundimisht se cila do të jetë fleta e votimit për zgjedhjet e 25 prillit. Në fletë renditen me radhë të gjitha partitë politike dhe më pas numrat për kandidatët për deputetë që garojnë në secilin qark të vendit. Vihet re se është ndryshuar tërësisht logoja e Bindjes Demokratike dhe nuk ka asnjë ngjashmëri me logon e Partisë Demokratike.

Ditën e sotme, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi sqaroi se cila mënyrë votimi do të quhet e pavlefshme. Ai theksoi se nëse votuesi zgjedh që të votojë një parti, duhet që edhe kandidati të jetë në atë parti. Ndërkohë që fleta do të quhet e pavlefshme, nëse kandidati është nga një parti apo koalicion tjetër.

Gjithashtu quhet e vlefshme fleta nëse votohet vetëm partia ose vetëm kandidati. Celibashi u shpreh se në qendrën e votimit do të vendosen postera ose fletëpalosje se cilët janë kandidatët që qytetarët të jenë më të qartë, meqë ata do të jenë të identifikuar me numrat përkatës në renditje.