Ardit Rada/

Të gjitha sondazhet ja fusin kot një herë në jetë. Shumë më shpesh në fakt. Do të ketë të tilla edhe në fushatën elektorale të 25 prillit, pa asnjë dyshim. Sepse gjatë javëve të fundit njëra palë prej tyre ka nxjerrë një rezultat të caktuar, kurse pala tjetër ka mbajtur një kurs të kundërt me to. Njëri prej rreshtimeve do dështojë ditën e zgjedhjeve.

Megjithatë ka një “sondazh” i cili tregon qysh tani sesi do të jetë koha në mëngjesin e 26 prillit. Ky është Presidenti i Republikës, zyrtari më i lartë i shtetit dhe njëherësh më antiligjori i të gjithë sistemit të institucioneve. Prej javësh Ilir Meta nuk është më Ilir Meta. Nuk është më President, as kryetar i LSI, as kryetar i bashkisë Vlorë, as shok fallco i Luan Ramës apo armik i betuar i Damian Gjiknurit.

Nuk është asnjë prej këtyre gjërave, sepse është njëherësh nga pak të gjitha këto që i cituan më sipër. Më pak se gjithçka në fakt është kryetar shteti. Thjesht okupon zyrat e Presidencës, sepse president ka kohë që nuk është më.

Ilir Meta është minotauri i këtyre zgjedhjeve, një kamaleon politik që s’ka Zot që e deshifron, një person publik që pi raki me Bujar Leskajn si një bujk i ardhur në qejf i Devollit, që shan si një shofer trupash dhe që hedh deklarata publike pa doganë e terezi si më i keqi i politikanëve të viteve ’90. E kemi një referencë për atë kohë, është Doktori i Madh, siç e quan me admirim Iliri.

Presidenti Meta është barometri më i saktë i këtyre zgjedhjeve. Dëgjojeni si flet, si sillet, si kërcënon, si nuk përmbahet dhe bëjini vetë llogari se kush fiton e kush humbet në 25 prill. Një njeri që e ka fitoren e partisë dhe të opozitës në xhep nuk sillet si Ilir Meta. Një kryetar i cili qysh tani, ende pa u hedhur vota e parë, e ka zënë vendin me gërma të zeza në raportin final të këtyre zgjedhjeve. Të cilat do të mbahen mend sa herë të ketë votime në Shqipëri, si hera e vetme kur kryetari i shtetit humbi mendjen dhe ekuilibrin, duke ikur në drejtim të paditur.