Nga Alfred Peza/ Një nga tiparet themelore të kësaj fushate elektorale nga ana e propograndës së opozitës, është denigrimi dhe linçimi i çdokujt që është i përfshirë direkt ose indirekt, në mbështetje të mazhorancës socialiste.

Për ta nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për njerëz të zakonshëm, gazetarë, analistë, figura publike, pedagogë, akademikë, intelektualë, personalitete e deri tek ikonat më përfaqësuese të artit dhe kulturës sonë kombëtare. Kushdo që nuk është me ta, është armiku i tyre dhe duhet e po trajtohet si i tillë.

E bënë këtë me Robert Ndrenikën. E bënë me Tinka Kurtin. Po e bëjnë me këdo që del jo vetëm nëpër spote, në krah të Edi Ramës, në krah të udhëheqësve të tjerë apo përfaqësuesve të PS në fushatë elektorale. Sikundër e kanë bërë më parë me çdo njeri të zakonshëm që hedh qoftë edhe një status në rrjetet sociale, apo një koment pozitiv dhe mbështetës, e deri tek një like.

Është tmerrësisht shqetësuese kjo qasje, kjo tendencë, kjo kulturë, kjo mënyrë e të kuptuarit dhe të jeturit të lirisë edhe pas 30 vjetësh të jetës pluraliste. Opozita jonë që ka në krye të saj partinë e parë antikomuniste pas gjysëm shekulli diktaturë ideologjike, po vepron sot në këtë drejtim, me të njëjtin mendalitet dhe metoda të censurës dhe të gjuetisë së shtrigave që përdorte Enver Hoxha.

Edhe atëherë edhe tani, teknologjia e luftës kundër kundërshtarëve politikë është e njëjë: sharje, fyerje, denigrim, sulme, linçim, gjyq publik, shpifje, akuza të qena e të paqena, bërje të apelit të librit të shtëpisë dhe futje në vrimën e çelsit që nga lindja e tyre në maternitet, e deri tek mallkimi për ta parë një minutë e më parë mundësisht rrugës për në varreza.

Ndryshimi i vetëm është se njëherë e një kohë përdornin gjyqet publike, të organizatës së frontit apo të partisë, të ndërmarrjes apo lagjes. E deri tek letrat “anonim ju lutem”, fletërrufetë, spiunimin tek Sigurimi famëkeq i Shtetit. Një kryqëzatë që i bënte “heretikët” të përfundonin jo rrallëherë nëpër qelira, dhoma torturash, internime, burgje dhe para togës së pushkatimit.

Ndërsa tani ka metoda më moderne. Më të sofistikuara. Tani ka facebook, ka instagram, ka twitter, sms, telefonata, ka denoncime te “qytetari digjital” ku e vetmja gjë që nuk ndryshon kurrë, është se shumica e tyre përfundon sërisht me thirrjen: “Anonim ju lutem”!

Por nuk mbaron këtu. Sepse tani ka shumë portale, shumë faqe facebbok me admin sërisht “anonim ju lutem”. Ka radio, ka televizione, ka banaqe, ka “karrike elektrike” ku thërritesh për të folur dhe ftuesi të bën gjyqin dhe ti ke të drejtë vetëm në fund të thuash faleminderit. Ka studio të debateve politike televizive ku nisesh të japësh mendime për temën e thirrur por gjithë kohës duhet të mbrohesh nga su lmet poshtë brezit.

E më pas ti pret të dëgjosh programin e vaksinimit të popullsisë, por kandidati i opozitarëve tanë për Kryeministër, nuk ka as edhe një fjalë të vetme për të. Ti pret të dëgjosh vizionin e Lulzim Bashës për rindërtimin e vendit nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, por ai nuk ka asnjë fjalë as për këtë çështje. Ti flet që të dëgjosh një debat për shkollat, për sistemin shëndetësor, por ringritjen ekonomike të vendit, për ecurinë e reformës në drejtësi, për turizmin, për bujqësinë…
Por mos prisni më kot. Sepse askush nuk ka nge që të meret më gjëra kaq të vogla e të parëndësishme për opozitarët tanë. Sepse janë shumë të zënë këto ditë, duke gjëmuar këmba këmbës çdo përkrahës të mundshëm të mazhorancës, të cilët nëse nuk thërrasin “Rroftë Luli”, i kanë punët pisk këtë radhë!