Nga Edi Rama/Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe me bukur e Partisë Socialiste që me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme, të atyre që kanë zgjedhur 12-n, por kanë gabuar me shenjën e preferencës, ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshëm me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend.

Urime, urime, urime, me gjithë shpirt! Dhe një përqafim të madh të gjithëve ju, këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë, për ju, për çdo vajzë e djalë, grua e burrë që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues, në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë, kampionen në fuqi, kampione përsëri. Por më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që me urtësinë, vendosmërinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë.

Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi! Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi besimi ynë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni ynë ta bëjmë këtë vend. Fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë, si një shtysë për t’i zgjidhur hallet e njerëzve dhe problemet e vendit duke punuar më fort, jo duke u ankuar më shumë. Fitoi durimi ynë, i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë, më shumë se të gjithë të tjerët bashkë. Fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare, politike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste e Shqipërisë.

Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja! Por, mos e harroni kurrë, asnjëherë më tutje, se kjo fitore duhet merituar në çdo ditë të katë viteve që kemi përpara. Është një fitore e madhe dhe e bukur që duhet ta meritojmë duke e bërë natën ditë, me punë të palodhur për Shqipërinë dhe me përkushtim të paepur për shqiptarët, kudo ku janë, me përulësi dhe respekt ndaj kujtdo, pavarësisht se për kë ka votuar apo për çfarëdo arsye që nuk ka votuar.

Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë, më ka ndjekur si hije, me dashurinë pa kushte dhe me përkujdesjen e paepur, dikush që më mungon tmerrësisht sot mes jush dhe që shpresoj se tani po më sheh nga atje lart, nëna ime Aneta. Uroj që ajo të jetë krenare për mua dhe mirënjohëse pa fund për ju të gjithë, që për kaq shumë vite më besuat pa u lëkundur, më ndoqët pa u lodhur, më mbështetët pa pushuar dhe sot, së bashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, më dhatë përsëri privilegjin e jashtëzakonshëm që t’ju udhëheq edhe për 4 vite të tjera drejt majës ku do të vazhdojmë të ngjitemi me bekimin bujar të popullit sovran të Shqipërisë.

Faleminderit me shumë mirënjohje juve që jeni këtu me mua sot, juve që na ndiqni nga ekranet në Shqipëri, në Kosovë apo në emigracion dhe të gjithë ju të tjerëve, shqiptarë e shqiptare që nuk jeni të lidhur direkt me ne tani, por që ishit me mua dhe për mua aty ku kishte rëndësi, përpara kutisë së votimit, të dielën e fitores sonë të përbashkët. Siç ishit ju aty për mua ditën që ju thirra për votën, do të jem unë aty ku do të duhem, kurdo që do të duhem, në çdo ditë e natë të 4 viteve që vijnë.

Një falënderim të veçantë pë gjysmën time më të mirë dhe të vetmen opozitë që unë nuk e mund dot, por kënaqem kur kap barazimin, Linda Ramën, mamanë e palodhur të Zahos, nënën krenare të Reas dhe shoqen besnike të Gregut. Linda është guri që na mbledh, burimi që na ushqen dhe drita që na energjizon ne të katërve. Grua, shumë faleminderit!

Faleminderit edhe Reas e Gregut, që nuk na shkaktoni asnjë dhembje koke, që s’keni asnjë lidhje me fodullëkun dhe me llastimin dhe që asnjëherë nuk keni bezdisur apo nxehur njerëzit, si disa fëmijë kryeministrash lart e poshtë këtu e gjetkë, me mënyrën tuaj të jetesës. Jam shumë krenar për të dy ju dhe uroj t’ju bëj krenarë gjithnjë me punën time sot dhe me ndihmën e Zotit dhe me gjurmën e punës sime nesër.

Tani, le të mbetet këtu mes nesh, këtu me miqtë që jemi në shesh, por Zaho nuk erdhi sepse është pak i mërzitur. Zaho nuk arrin dot të pajtohet me faktin që unë i mora të gjitha votat, kurse ai s’mori asnjë votë megjithëse bëri fushatë në Vlorë. Tani është detyra e familjes sonë që t’ia mësojmë me durim pse s’duhet të mërzitet nga kjo puna e votave.

Por, përtej shakasë, është detyra jonë, e familjes sonë të madhe socialiste progresiste dhe e imja personalisht në radhë të parë, që me fjalët dhe me sjelljen tonë të mos t’i bëjmë të ndihen edhe më keq, siç ndihen natyrshëm nga humbja e thellë, rivalët tanë demokratë. Lulzim Basha dhe Partia Demokratike bënë fushatën më të mirë në historinë e humbjeve të tyre. Ata ishin më skuadër se në të gjitha herët e tjera dhe përtej ndonjë eksesi tradicional apo mospajtimi tradicional me realitetin e humbjes, gjëra që e dëmtuan dhe e dëmtojnë forcën e tyre politike në radhë të parë. Demokratët ishin kundërshtarë jo edhe aq të lehtë këtë herë, që meritojnë respektin tonë për përpjekjen serioze për të arritur të paarritshmen dot për ta. U them atyre sinqerisht se, më shumë se kaq nuk bëni dot. Madje bënë më shumë se sa mund të bënin normalisht sepse të mundësh Partinë Socialiste është po aq e pamundur sa të mundësh Milanin e Sakit, Interin e Murinjos apo Barcelonën e Guardiolës. Nuk po flas për Juventusin se ky nuk ishte viti i juventinëve, por viti ekskluziv i socialistëve.

Mesazhi im i sinqertë për Lulzim Bashën është ky: pranoje humbjen me dinjitet dhe me bindjen se nuk bëre dot çfarë doje, por bëre gjithë sa munde. Mospranimi i dinjitetshëm në kohën e duhur i kësaj humbjeje aspak turpëruese, thjesht e zvogëlon në çdo orë që kalon përmasën e rezultatit që Partia Demokratike mundi të arrinte të dielën përballë një makinerie fitoreje si Partia Socialiste e Shqipërisë.

Miq demokratë, ne jemi më të mirët. Ju jeni më të mirët pas nesh. Ky është fakt dhe faktet pranohen, nuk luftohen. Nuk më takon mua dhe nuk është as përgjegjësia, as e drejta jonë, që të vendosim se si do ta lexoni ju rezultatin tuaj dhe se çfarë qëndrimi do të mbani me udhëheqjen tuaj. E thënë më troç, nëse do të jetë apo s’do të jetë Lulzim Basha ai që do ta drejtojë Partinë Demokratike në 4 vitet e ardhshme, kjo është ekskluzivisht puna juaj. Por, me apo pa Lulzim Bashën, ne e kemi shumë të qartë që opozita jonë e vetme është Partia Demokratike. Dhe fitorja jonë e madhe, e qartë dhe e thellë, nuk na e bën më të vogël por më të madh detyrimin që t’i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim apo kufizim, Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Unë dua të jem kryeministri i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i atyre që më dhanë mandatin e tretë. Jo vetëm i socialistëve, por edhe i demokratëve. Jo vetëm i atyre që votuan, por edhe i atyre që nuk votuan fare. Unë dua që Shqipëria të ngjitet në majën ku Zoti e deshi, kur e qëndisi me aq përkujdesje, si një zonjë me hire magjepsëse, duke futur brenda në një vend kaq të vogël dy dete, njëri më i bukur se tjetri, një diell që edhe kur nuk ngroh, ndrit mbi trupin e saj gjatë gjithë vitit dhe kreshta të bardha malesh edhe kur drita e diellit bëhet përvëluese, pllaja, kodra, lugina, pyje e liqene ngado, dhe plot 152 lumenj e përrenj përgjatë trupit të mahnitshëm të saj, një nënshtrat ku gëlojnë burimet më të mëdha të ujit në të gjithë Mesdheun dhe ku fshihen sasi nafte, gazi e mineralesh që shumë vende të tjera as nuk guxojnë t’i ëndërrojnë. Unë dua që Shqipëria të mos vuajë më nga dora e mbrapshtë e robit, që për kaq shumë kohë, o Zot sa shumë kohë, e ka penguar këtë popull që ta marrë siç i takon pjesën e tij nga kjo dhuratë e Zotit, me emrin e bukur Shqipëri.

Unë dua që Shqipëria përtej pandemisë, të bëhet vendi ku shqiptarët të ndihen krenarë jo vetëm për bukuritë e vendit të tyre, për gjuhën, historinë, traditën, bujarinë, heronjtë, këngët e vallet, artistët, poetët, shkrimtarët e tyre, por edhe për këtë shtëpi të madhe ku jetojnë dhe ku lindin fëmijët e tyre, që quhet Shqipëri. Unë dua që Shqipëria që përballoi me aq karakter dhe durim tërmetin dhe pandeminë, të përballet me të njëjtin karakter dhe me po atë durim edhe me të këqijat e kësaj shoqërie, ku politika e para duhet të përballet me vetveten për ta tejkaluar adoleshencën e saj kaq problematike, e cila ka zgjatur kaq tepër duke e tepruar me vicklat, dënglat, sherret dhe zhurmën e vet të padurueshme. Unë dua, që nga unë i pari, të nisim një përpjekje reale, serioze, të vërtetë e të vështirë, sa të duash, për t’u bërë shumë më të vetëdijshëm në çdo qelizë, se çdo fjalë që nxjerrim, çdo vendim që marrim, çdo veprim që bëjmë dhe çdo hap që duam të hedhim, ndikon për mirë ose për keq direkt mbi njerëzit e këtij vendi, mbi të rinjtë që gjuhën e nënës kanë shqipen, mbi shëndetin shoqëror e moral të popullit tonë, mbi vetë të ardhmen e Shqipërisë e të kombit shqiptar. Unë nuk dua që mandati i tretë të ngjajë si vazhdim i dy të tjerëve në aspektin e komunikimit dhe të debatit mes nesh. Ne s’kemi pse të biem dakord me pahir, por ama s’kemi pse që mosdakordësinë ta kemi kaq ndotëse, kaq mbytëse, kaq ulëritëse. Cilësia e bashkëjetesës demokratike nuk matet me sa shumë biem dakord por me mënyrën se si e administrojmë mosdakordësinë. Mosdakordësia është ushqim për demokracinë, jo helm për popullsinë.

Pushteti për mua nuk është qëllim, por vetëm mjet për të arritur qëllimet për Shqipërinë. Dhe me Partinë Demokratike neve na ndajnë natyrshëm shumë gjëra, por jo qëllimet madhore për Shqipërinë. Socialistët e demokratët shqiptarë duan ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian, por duke e bërë integrimin evropian hendek balte mes njëri-tjetrit dhe armë për të qëlluar, mundësisht asgjësuar njëri-tjetrin, ky qëllim kaq i madh, kaq i përbashkët i të gjithë njerëzve të zakonshëm nuk shpejtohet, por vetëm vonohet. Socialistët dhe demokratët shqiptarë në çdo qytet, në çdo fshat, nga jugu në veri, duan nga të dyja palët që ta rrisin ekonominë dhe mirëqenien, por duke e nxirë çdo ditë të shqiptarëve me ziftin e rrugëve të komunikimit mes palëve, rritja e ekonomisë dhe e mirëqenies nuk shpejtohet por vetëm pengohet. Socialistët dhe demokratët shqiptarë duan që vajzat dhe djemtë e tyre të mos ikin nga Shqipëria prej hallit, por vetëm kur dëshirojnë ta provojnë veten jashtë kufijve të saj. Por një shtëpi ku të mëdhenjtë bëjnë vetëm sherr dhe nuk merren vesh për asgjë, fëmijët e vet i mban vrenda veç prej zorit dhe hiç prej qejfit të të qenit bashkë nën një çati. E pra, nuk mjafton që ta themi përditë, si në një garë frenetike, se sa shumë e duam Shqipërinë, se sa të përvëlur jemi për flamurin e Evropës, se sa të përkushtuar jemi për qytetarët e këtij vendi, se sa të prekur jemi nga varfëria e një pjese prej tyre, apo se sa të inatosur jemi me ata që u bien në qafë të tjerëve lart e poshtë në këtë vend. Jo. Nuk mjafton të jemi të zotë veç me fjalë, por duhet ta tregojmë me sjellje dhe me vepra se ne vetë, përfaqësuesit e zgjedhur të këtij populli, jemi më të mirë se kaq sa dukemi kur i hidhemi në fyt njëri-tjetrit, kur e godasim njëri-tjetrin me fjalën e fundit apo deri edhe me bojë e me çizme, kur bëhemi gazi i botës me lojërat tona macja me miun dhe kur i bëjmë Shqipërisë, në sytë e komunitetit ndërkombëtar, atë që as armiqtë nuk ia bëjnë dot imazhit të këtij vendi.

Ky është vendi ynë dhe këtë vend s’mund ta duam me pjesë, as mund ta ndajmë në pjesë. E di mirë, e kam shumë të qartë, që ta thuash këtë që po them, sado me sinqeritet, sado me zë të lartë, është shumë e lehtë, shumë më e lehtë sesa ta bësh, por unë jam më i gatshëm se asnjëherë tjetër që të përpiqem me të gjitha forcat e mia që edhe ta bëj. E di mirë po ashtu se nuk mjafton vullneti im, as i imi as i të gjithëve ne fituesve sepse duhet edhe vullneti i Partisë Demokratike dhe i kujtdo që do ta drejtojë atë në 4 vitet e këtij kapitulli të ri të jetës sonë demokratike. Por unë e kam mësuar dhe e kam provuar më shumë se një herë në jetën time, për dreq tani nuk është edhe aq e shkurtër kjo jeta ime, se asgjë që njeriu e ëndërron me sy hapur nuk është e pamundur. Dhe ëndrra ime me sy hapur është që Shqipëria e kësaj dekade, që nisi me mandatin e tretë radhazi të Partisë Socialiste, të bëhet kampione e Ballkanit, kampione në turizëm dhe në agroturizëm, në energji, në bujqësi dhe në shërbime cilësore, të shpejta e të pakorruptueshme digjitale për çdo njeri të zakonshëm të këtij vendi. Me katër porta nga qielli dhe katër nga deti për udhëtarët dhe për turistët, me dy porte të reja detare për tregtinë në Durrës dhe në Vlorë, me Korridorin Blu të shpejtësisë së lartë nga Murriqani në Milot, në Rrogozhinë, në Fier dhe në Vlorë, me dy parqet me energji diellore në Divjakë dhe në Durrës, me Skavicën në veri dhe me TEC-in me gaz të lëngshëm në Vlorë, Shqipëria mund t’i hapë në 5-6 vitet e ardhshme, me një fuqi të papërmbajtshme, portat e së ardhmes për popullin e saj. Ky është një megaprojekt kombëtar që kërkon një energji të madhe njerëzore dhe një fuqi të madhe politike.

Patjetër që mandati i tretë është mandati më i fortë që një shumicë qeverisëse ka pasur ndonjëherë qysh prej vitit 1992. Dhe ne do ta realizojmë këtë megaprojekt me të gjithë energjinë e jashtëzakonshme që shumica dërrmuese e zgjedhësve sapo na e ka dhënë. Por, nëse arrijmë t’i bashkojmë forcat me Partinë Demokratike për të gjitha ato qëllime dhe objektiva që nuk na ndajnë por na bashkojnë, kjo dekadë do të hyjë në histori jo vetëm për çfarë bëmë për Shqipërinë, por edhe për çfarë nuk vazhduam të bëjmë kundër interesit të saj dhe qytetarëve të këtij vendi, pa dallim. Dy ndasitë e mëdha që vazhdojnë ta bëjnë të rrëshqitshme tokën nën këmbët e Shqipërisë, që ka ecur shumë përpara në këto vite, por kurrsesi aq sa mund të kishte ecur pa këto dy ndasi, janë tmerrësisht të vështira për t’u kapërcyer. Por po kaq e tmerrshme është që të mos përpiqemi t’i kapërcejmë dhe t’ia lëmë peshqesh gjeneratës tjetër bashkë me stafetën tonë. E para është ndasia e hapur që në Luftën e Dytë Botërore, komunistë dhe nacionalistë, e thelluar si s’ka më zi në dekadat e diktaturës enveriste dhe e trashëguar prej komunizmit si një mallkim që na ndjek nga prapa duke i përçarë shqiptarët deri në fshatin më të largët, përmes një thike që i bën të harrojnë se në radhë të parë janë shqiptarë.

Unë kam lindur shqiptar, nuk kam lindur socialist. Dhe për mua demokratët janë shqiptarë pastaj janë edhe demokratë, prandaj s’ka ku rri e keqja e madhe që të flasim shqip me njëri-tjetrin sikur jemi dy palë armiq të dalë nga i njëjti bark dhe të kujtohemi për përkatësinë e njëjtë nga ai bark, vetëm kur ndonjëri nga ne ka vdekur.

Këtu sot mungon edhe dikush që punoi për këtë fitore, miku ynë i shtrenjtë Bashkim Fino. E imagjinoj duke qeshur atje lart dhe duke duartrokitur bashkë me ne për fitoren tonë të mrekullueshme. Por u desh të ikte nga kjo botë Bashkimi ynë i dashur që të tërë të bashkoheshin në ngushëllimet për familjen e tij dhe të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë, jo thjesht një socialist i patundur. E pra, ndasia e tmerrshme, mallkimi i së shkuarës, nuk na ka lejuar kurrë, tash 30 vite, që në skenën e politikës t’i kemi të shumta në tërë ato ditë të panumërta që kemi ndarë së bashku, ato ditë kur jemi së pari njerëz dhe shqiptarë në të gjallë. Veç në ditët e zeza kemi mundur të harrojmë vetëm për një çast se nëna nuk na ka bërë me fanellë partie dhe se kjo jetë i jepet njeriut nga Zoti për të zbutur edhe kafshët, jo për t’u bërë ujq për njëri-tjetrin.

Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale, mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e kahershme të principatave dhe të lëngatave, e mbuluar si dielli nga shosha në Shqipërinë komuniste dhe e ushqyer pabesisht, poshtërsisht, politikisht në Shqipërinë e re demokratike, krejt pavarësisht nga fakti se kur nuk jemi socialistë apo demokratë por thjesht shqiptarë, e thërrasim të gjithë me krenari atë vargun “Shqipëria është nji, nga jugu në veri”. Nuk është natyrisht kjo dita dhe as ky është vendi për ta tepruar unë tani me reflektime apo për të bërë filozofi. Por kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën Partisë Demokratike, duke e bërë të qartë për të gjithë se në mandatin e tretë dua që t’ia kushtojmë të gjitha energjitë tona bashkimit jo ndasive, punës jo sherreve, lartësimit të shqiptarëve dhe të Shqipërisë jo uljes së njëri-tjetrit në atë skenën e vogël të politikës. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë sepse politika është e vetmja fuqi në tokë që di t’i bëjë të dyja, edhe luftën edhe paqen, edhe dhunën edhe punën, edhe sherrin edhe mirëkuptimin, edhe përçarjen edhe bashkimin. Politika ka lindur që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë me njëri-tjetrin të mundura gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Politika e ka lindur edhe fashizmin, edhe komunizmin, edhe terrorizmin, edhe Shtetet e Bashkuara, edhe Bashkimin Evropian, edhe shtetin shqiptar dje. Edhe Kosovën shtet sot, politika e ka lindur. Por edhe Shqipërinë në majën ku Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta çojë.

Prandaj le të përpiqemi që ta vëmë politikën, më shumë se asnjëherë më parë, në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe të heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe Shqipërinë duhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade, përtej pandemisë, duke e nisur punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja përfundimtare e armikut të padukshëm, si edhe duke nisur që ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes që, qysh kur s’mbahet mend na fton dhe na tërheq përditë në rrugën e shkurtër të ndasisë dhe të sherrit me njëri-tjetrin.

Shqipëria fitoi më 25 prill. Tani është radha jonë që të fitojmë çdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin.

Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë! Rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar! Rroftë Shqipëria! Shumë faleminderit!