Ish kreu i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi Fatmir Xhafaj, tregoi në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv se kush nuk e do reformën në drejtësi.

I renditur i 23 në listën e qarkut të Tiranës, Xhafaj bëri një rezyme të zhvillimeve që sollën implementimin e reformës.

I pyetur nga gazetarja Xhunga nëse ka edhe brenda socialistëve që nuk e duan reformën, ai tha se mund të ketë edhe nga ata që se kanë dëshiruar por ky projekt sipas tij është në ADN-në e Partisë Socialiste.

“PS është forca politike që e mbështeti Reformë në Drejtësi, që e votoi dhe u bë pjesë e këtij projekti. Jo vetëm gjatë kohës që kemi qenë në mazhorancë, por edhe kur ishim në opozitë. Kurse opozita e sotme që ishte mazhoranca e djeshme, jo vetëm nuk mori kurajon, por ndërvite e dëshironte mosndryshimin e këtij realiteti bataku në sistemin e drejtësisë. Ajo është përgjegjëse për këtë”, tha Xhafaj duke shtuar se:

Ata e bojkotuan dhe u vonua Vetingu, nuk e miratuan ndryshimin ligjor për shkollën e Magjistraturës dhe ajo mbeti 1 vit pa studentë dhe do të thotë që 90 veta janë futur me vonesë në sistem për të zëvendësuar magjistratët e larguar nga sistemi për shkak të Vetingut. E sulmuan ashpër, vazhdojnë ta sulmojnë ashpër, dhe kjo e gjitha krijon një lloj klime për sistemin dhe prandaj qytetarët do të duhet të zgjedhin. Partia Demokratike ka dy përgjegjësi të mëdha, për drejtësinë në përgjithësi dhe për shtetformimin sepse shpeshherë njerëzit harrojnë. Në 97-ën PS-ja erdhi në pushtet, PD-ja kishte mundësinë që nga viti 1992 deri në 96-ën të bënte Kushtetutën e re. Nuk arriti dot ta bënte, shkoi me dizpozita kushtetuese. Në 98-ën, PS-ja, mazhoranca e asaj kohe pati vullnetin, kurajon dhe qasjen, sepse mos të harrojmë se dy drejtuesit e atij komisioni nuk ishin dy socialistë. Pati dhe qasjen mendjehapur dhe ndërmori reformën kushtetuese dhe hartoi dhe miratoi kushtetutën e re. Opozita e asaj kohe me të njëjtin person që dje e kishte lider të saj dhe sot e ka kryetar de facto, e bojkotoi të gjithë procesin kushtetues të 98-ës, kushtetutën e re të këtij vendi. Në vitin 2016, vërtet e miratoi por ishte e detyruar dhe luajti një rol destruktiv gjatë gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.Pra ishin dy momente të mëdha të shtetbërjes në këtë vend, në të cilat PD-ja ka qenë plotësisht destruktive. Qytetari ka të drejtë të zgjedhë dhe më 25 prill janë ata që do gjykojnë mençurisht çfarë ka bërë PS-ja dhe çfarë ka bërë PD-ja.
Sa njerëz janë rropatur dyerve të gjyqeve dhe prokurorisë për të fituar të drejtën dhe shumë prej tyre edhe kanë paguar për ta marrë këtë të drejtë. Prandaj u bë dhe Vetingu, sepse ishte në këtë derexhe sistemi, në këtë lloj bataku. Për këtë gjendje ka përgjegjësi politika dhe padyshim pergjegjesia identifikohet te Sali Berisha dhe Partia Demokratike që ai ka drejtuar”, tha Xhafaj duke ju përgjigjur edhe pyetjes nëse PS ka frikë nga reforma:

“Ka diferencë kur flasim për partinë dhe individët. Edhe te partia jonë ka njerëz që kanë frikë. Padyshim që kanë frikë. Mëkatarët kanë frikë. Unë jam shembulli konkret që e di që një pjesë e tyre kanë frikë. Por gjithashtu jam shembulli konkret që e di që partia nuk ka frikë. Pse? Sepse partia më dha mundësinë mua dhe kolegëve të mi ta bëjmë Reformën në Drejtësi, na mbështeti. Pa atë mbështetje ne nuk do ta kishim bërë këtë. E kishim ideuar që në opozitë, që në programin elektoral të 2013-ës dhe gjatë gjithë këtyre viteve që e hartuam dhe jemi duke mbështetur fort realizimin e saj. Por dhe brenda partisë ka individë që nuk e duan këtë reformë, nuk e kanë dashur. Kjo nuk është çështje individësh dhe çfarë rëndësie ka për 1 ose 2 persona. PS-ja është një tren i madh me shumë vagonë. Po në atë parti qëllon ndonjë që del afër lokomotivës, hyn dhe dikush që mund të mos ketë fare lidhje me PS-në ose që është aksident, ose që hipen në një stacion dhe do të zbresë të stacioni tjetër, se mbase merr ndonjë gjë aty te vagoni i PS-së. Por është tren i madh do të ketë dhe nga këto gjëra. Por janë individë. Ajo që ka rëndësi është ADN-ja e Partisë Socialiste dhe unë jam lumtur që PS-ja nuk e ka humbur ADN-në e saj. Këtë e shikoj te njerëzit e thjeshtë, te kolegët e mi, me ata të cilët kemi ndarë beteja gjatë gjithë kësaj kohë dhe që shpresoj se do të ndajmë beteja të tilla edhe në vijim.”, tha Xhafaj për DritareTv.