Nga Ylli Pata/ Media pranë opozitës kanë publikuar me zhurmë ekzistencën e një “database” që e quajnë atë, ku Partia Socialiste ka një listë me qytetarë me të drejtë vote, ku nga aktivistë të saj bëhet një analizë e mundshme e votës, duke parë njohjet dhe shpërndarjet në terren.

Për këtë listë, këto media pranë opozitës thërrasin se është skandal apo marrje e të dhënave personale.Në fakt, në Shqipëri, prej shumë vitesh ekziston një sistem i tillë ku forcat politike në vend, jo vetëm të mëdhatë regjistrojnë përkrahësit e mundshëm në terren, duke bërë një mbulim të territorit nëpërmjet organizatave, seksioneve, apo grupeve.

Skandal në këtë rast do të ishte përgjimi, influencimi, klientelizmi, apo ndikimi i njerëzve nga forcat politike. Skandal do të ishte kontrabandimi i zgjedhësve në listat e votuesve për interesa të momentit. Siç ka ndodhur për shembull në vitin 2011 në Tiranë, kur në kryeqytet u sollën vetëm për të fituar Lulzim Basha, zgjedhës nga i gjithë vendi. Skandal do të ishte nëse do të përdoreshin fonde të panjohura për të paguar bileta avionic, për zgjedhës që u kërkohej të votohej për Lulzim Bashën siç ndodhi në 2011-n në Tiranë.

Por le të vijmë tek ajo që mediat e opozitës e cilësojnë si “shkelje e të dhënave personale”. Materiali i botuar sipas të gjitha gjasave, është një database i vjetër i PS-së së Nanos, pasi aty edhe analistë që sot përkrahin PD-në haptas figurojnë si mbështetës së Partisë Socialiste.

Por ta lëmë këtë: thelbi është se logjika e database-s së partive politike kryesore në votuesit sidomos në Tiranë është praktikë pune. Mjafton të pyesësh çdo qytetar në Tiranë: ata merren rregullisht nga të ngarkuarit në fushatën e PD-së në lagjen përkatese dhe jo vetëm i thirret me emër, por i përmendet dhe vota e tij historike, duke e ftuar ta vizitojë zyrën elektorale të PD-së. Përveç vullnetarit të zyrës, e marrin edhe nga zyra qendrore çdo ditë për të ashtuquajturin sondazh, që në fakt është më shumë pasi është ndikim.

E për të mos e lënë me kaq, vetë Lulzim Basha vetë ka dërguar mesazhe të personalizuara në numrat e qytetarëve, ku ka bashkëngjitur edhe një qendrim të tijin politik, pa marrë lejen paraprake, siç bën një telefonuese, ku i kërkon telefonuesit a mund ta pyesë.

Kemi të bëjmë me një komunikim invaziv, kemi të bëjmë me një fushatë të drejtuar tek infividë, të cilëve jo vetëm u shkohet në banesë me militant, gjë që ndodh, por edhe u bihet numri personal i telefonit, u shfaqen në rrjetet sociale si sponsorizim etj.

Prej dy ditësh, përkrahës të PD-së po bëjnë ironi me të ashtueuqajturit “patronazhistë” por që nuk kanë thënë asnjë fjalë kur këto “patronazhistë” janë identifikuar si përkrahës së PD-së, si telefonata e famshme, e publikuar në media të një vajze nga zyrat e PD-së me një emigrant, e cila u bë virale në rrjet.

Duket si paksa “borgjeze” të flasësh për parti elektorale në vend, që merren me zgjedhësit vetëm në ditët e fushatave, kur në Shqipëri, gjithçka nis pas ditës së votimit, kur ata që fitojnë mendojnë sesi të bëjnë për vete individët duke u dhënë vende pune, duke i kontaktuar, lidhur me favorizuar për t’i pasur si përkrahës.