Kishin kaluar tri vite që kur Neymar doli për herë të fundit në një konferencë shtypi para një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve. Braziliani u rishfaq para mediave në prag të sfidës kundër Manchester City. Ylli i ekipit parizien theksoi se nesër do të japë gjithçka për ta çuar PSG në finale dhe se ndihet shumë më i lumtur tani në Paris sesa në dy sezonet e fundit:

“Do të jetë një gjysmëfinale e komplikuar, mjaft e vështirë. Manchester City është një ekip i nivelit të të lartë si Bayerni. Ne po përgatitemi, jemi gati të luajmë kundër tyre. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të fituar”. Forma e tij aktuale – “Ndihem mirë, i lumtur. Jam mirë fizikisht. Të gjithë jemi gati të luajmë nesër, edhe unë. Do të bëj çmos për ta çuar PSG në finale”.

“Topi i Artë” dhe Mbappé – “Jam shumë i kënaqur me sezonin që po bëjmë. Lidhur me ‘Topin e Artë’, nuk është diçka për të cilën mendoj. Tani jemi të përqendruar te Champions-i, sepse është gjëja më e rëndësishme. Lidhur me Mbappé, ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, e ka treguar me gola. Unë jam gjithmonë me të. Dua ta ndihmoj të thyejë të gjitha rekordet e mundshme, sepse është një lojtar i shkëlqyeshëm. Ai është një person fantastik. Objektivi im i parë është të fitoj Ligën e Kampionëve para Topit të Artë”. Rinovimi – “Unë tashmë kam folur për këtë më parë. Nuk kam pse të flas më për këtë. Kam edhe dy vite kontratë dhe vazhdojmë të flasim me PSG. E thashë që jam i lumtur këtu, më shumë se në dy sezonet e shkuara”.

Ajo që i mungon PSG të jetë një klub i shkëlqyeshëm – “Që kur erdha këtu, klubi është përmirësuar. Është një ekip për të cilin kanë më shumë respekt. Tani është ndër pesë ose gjashtë ekipet më të mira në botë. Kjo është hera e dytë radhazi që jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në Ligën e Kampionëve. Vitin e kaluar jemi shpallur nënkampionë të Europës”. Hyrja në histori – “Qëllimi im është të jem ndër më të mirët. Vitin e kaluar kemi hyrë në histori, pasi kemi arritur në finale. Tani jemi në mesin e katër më të mirëve. Ne po përmirësohemi dhe po bëhemi më mirë çdo herë. Do të japim gjithçka për të fituar Champions-in”.