Nga Plator Nesturi/ Vrasja e ndodhur në Elbasan e ka çuar në një nivel më të lartë alarmin për një klimë tensioni në zgjedhje. Është kjo arsyeja që dhe faktori ndërkombëtar nëpërmjet përfaqësive diplomatike bëjnë thirrje së pari Metës e më pas Ramës dhe Bashës për vetëpërmbajtje dhe të jenë të kujdesshëm në deklaratat e tyre për të mos nxitur konflikt me gjuhën e urrejtjes. Përfshirja në këtë thirrje të diplomatëve edhe të presidentit duket se bëhet pasi vetë ai konsiderohet si pjesë përbërëse e fushatës elektorale me qëndrimet e deklaratat e tij sesa si figura asnjanëse e kreut të shtetit. Dhe në fakt dhe në konferencën e djeshme për media, presidenti dukej shumë më tepër i preokupuar për banderolën e LSI në Fier duke e quajtur si krim elektoral të Ramës, porse nuk tha asnjë fjalë apo mesazh paqeje pas ngjarjes së rëndë në Elbasan, ndonëse viktimën dikur e ka patur bashkëpunëtor si ish drejtues i LSI në Elbasan.

Gjithësesi, vrasja e një personi në Elbasan dhe plagosja e tre të tjerëve, përfshirë dhe një oficere policie, hap një zinxhir arsyetimesh për të cilën duhet ta shohim çështjen me kujdes. Pasi gjuha e ashpër e konfliktuale e politikës mund të shtyjë në kryerjen e situatave konfliktuale të pasionantëve politikë, por nëse kemi të bëjmë me struktura të ngritura për të krijuar konflikt, kjo është shumë më e rëndë. Nëse kemi parasysh rreth një muaj më parë, pati deklarata të drejtuesve politikë të PD, përfshirë dhe z Bardhi si drejtues politik në Elbasan, se do të ngrinin grupe të gatshme me arsyetimin se do të mbrojnë edhe fizikisht si kandidatët edhe votën. Ndaj pyetja që bëhet nëse autori i vrasjes ishte pjesë e një strukture të tillë që vepron me skenarë të tjerë ekstraelektorale?

Për më tepër kur sipas informacioneve goditja me armë ka ndodhur pasi ka mbërritur policia në vendngjarje, dhe kur vetë uniformat blu kanë mbërritur pas telefonatës së vetë të ndjerit për konfliktin fizik të ndodhur më parë. Deri më tani fushata elektorale po zhvillohej me tone të qeta. Çfarë ndodhi që u shfytyrua papritur dhe po ndodhin incidente të rënda të shoqëruara me gjuhë dhune nga politikanë. Duket se paska patur dhe skenarë rezervë nëse nuk funksionon gjuha e qetë. Në të gjitha rastet gjithësesi nga këto skenarë do e vuajmë të gjithë dhe në një vështrim si afat shkurtër për zgjedhjet, ashtu dhe më afatgjatë për klimën që dotë zotërojë pas votimeve në 25 prill, të gjitha kanë diçka çfarë humbin. Ndryshimi i diskursit nga qetësia tek gjuha e ashpër dhe dhuna së pari tregon nervozizëm dhe pasiguri. Ku ashpërsia thjesht dëshmon tension por jo zgjidhje.

Ndërsa deri në mbremjen e dy ditëve më parë u përshafën dhe sondazhet e fundit të lejuara nga ligji elektoral, projeksionet treguan se megjithë rritjen që ka pësuar PD, nuk arrin do të ndryshojë balancën e pushtetit. Dhe kjo nuk mund të ndodhë as nga nga sondazhet më afër saj, të cilat detyrohen të pranojnë se LSI është në rënie pikiate, duke humbur peshën politike dhe se s mund të nxjerrë dot aq mandate sa ti vinte në ndihmë PD për të arritur përmbysjen. Parë nga ky këndvështrim, tretja e ëndrrës për një fitore pas 8 viteve në opozitë, duket se ka nxjerr në pah nervozizëm që mund të të çojë në veprime dëshpëruese dhe inatçore.

Duke u bazuar në idenë se rrotacioni do të vinte vetë, thjesht për faktin se dy mandatet do e kenë konsumuar Ramën dhe se thjesht pret rradhën për tu ulur në poltronin e kryeministrit, kjo duket se ka sjell goditje të qetësisë së deritanishme të opozitës. Çështja që mbetet për tu diskutuar nëse kjo është një humbje e përkohshmë e qetësisë dhe që gjithësesi zgjedhjet do të vijojnë brenda parametrave të duhur dhe në qetësi, apo ky nervozozëm do të çohet më tej. Me një logjikë të ftohtë, mungesa e qetësisë në zgjedhje nuk do të shtonte vota për opozitën por thjesht do të ulë numrin e votuesve. Në atë çfarë shihet, duket se PS ka arritur të kompaktësojë elektoratin e vet dhe e mban të mobilizuar. Ky tonifikim duket në faktin se në të gjitha sondazhet e kryera gjatë kësaj përiudhe, përqindjet e maxhorancës kanë qenë konstante, gjë që tregon kompktësi.

Në të kundërt, opozita erdhi nga kuotat e ulëta të besueshmërisë, dhe me një PD që shkonte në ngjitje progresive, ndërsa LSI në zbritje. Pavarësisht kësaj tendence rritjeje të PD duket se nuk po mund të ngjitet në nivelin që të garantojë ndryshim. Dhe këtë mund ta kërkojë vetëm nëse do të kërkojë të mobilizojë votat e të pavendosurve të cilët përbëjnë një për qindje të konsiderueshme. Nëse vemi sipas kësaj logjike, atëhere PD mund ta bëjë vetëm nëpërmjet nxitjes së këtij elektorati gri që të të shojë të votojë. Porse kjo nuk mund të arrihet as me gjuhën e dhunës as me krijimin e një klime konfliktuale.

Në këtë rast, ky lloj elektorati do të rrijë në shtëpi. Madje dhe numri i atyre që do të votojnë mund të ulet më tej, çka në vetvete nuk i intereson së pari vetë opozitës. Ndërkohë maxhoranca duket e shqetësuar jo për zgjedhjet dhe rezultatin e tyre, për të cilat duket se ka siguri për fitore, por për çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve. Ramës duket se nuk i intereson një mandat i tretë thjesht si trofe por që mund të shoqërohet me tensione politike. Në fund të fundit, vetë çka kërkon të realizojë do të pengohen nga konfliktualiteti që do ti harxhojë energji dhe angazhim. Në këtë kuadër propozimi i një bashkëpunimi me PD përtej zgjedhjeve dhe përtej rezultatit të tyre duket se është një ofertë për një zbutje dhe një detantë në mbarëvajtjen e shtetit. Që shkon përtej interesave të ngushtë të dy forcave politike dhe përtej këtyre zgjedhjeve.

Pas reformave të kryera në drejtësi e në ndonjë sektor tjetër, duket se reforma më e rëndësishme do prekë vetë politikën, formën dhe mënyrën e përfaqësimit, të parlamentit dhe të maxhorancëve. Dhe kjo reform nuk mund të bëhet pa një vullnet politik të dyanshëm dhe pa një bashkëpunim të ngushtë midis dy forcave më të mëdha politike. Dhe në këtë koncept, ky bashkëpunim nuk është thjesht një formë bashkëqeverisjeje, pas inga kjo shumë gjëra dhe forma të vjetëruara do të ndryshojnë.