Nga Plator Nesturi/ Ndërsa jemi në fushatë, fjalën e kanë subjektet politike për ofertat që kanë për elektoratin dhe nuk pritet që të flaës KQZ. Përderia merret me menazhimin e zgjedhjeve, është normale që vëmendja ndaj këtij insitucioni të jetë pikërisht në ditën e votimit e më tej gjatë numërimit e shpalljes së rezultateve. Por akuzat për mundësin e manipulimit të rezultateve me efekt përhapje paniku detyroi kreun e KQZ që të deklarohet që më parë mbylljes së fushatës. Ishte presidenti që lëshoi akuzën se një Njësinë 10 në kryeqytet, ku numërimi i votave do të bëhet në formë elektronike, ka ndërhyrje të PS në sistem për manipulimin e rezultatit.

E thënë kjo nga një president, aq më tepër kur me ligj i duhet të jetë i paanshëm, të mos ndërhyjë në fushatë apo të deklarohet publikisht në favor të njërës palë, kjo deklaratë duhet marrë si akuzë e rëndë dhe alarmante përderia ka të bëjë me standartin e zgjedhjeve dhe deformimin e tyre. Pasi nuk kemi të bëjmë me mufka politikanësh në fushatë që mund të artikulojnë lloj lloj të pavërtetash për të dëmtuar kundërshtarin. A ka ndonjë bazë e gjitha kjo, apo është thjesht një shashkë në vazhdën e debatit të ashpër president-kryeministër? Dalja sot e Celibashit, përgënjeshtroi gjithshka nga tymnaja.

Nuk ka asnjë shans të ndërhyhet, u shpreh kreu u KQZ, jo vetëm në këtë njësi por në të gjithë Republikën e Shqipërisë, duke e quajtur sistemin 100% të sigurt dhe që dikush në mënyrë institucionale ta manipulojë. Duke hedhur poshtë këtë insinuatë për vjedhje, të cilën Celibashi e quajti deklaratë politikanësh, pavarësisht se akuza u bë nga presidenti që është dhe kreu i shtetit, qetësoi jo thjesht opinionin publik por dhe çmontoi insinuatat që duan të venë që më parë dyshimin tek zgjedhjet. Të ngrihen akuza të tilla, aq më tepër nga shtetarë, duhet të mbështetn mbi informacione të qëndrueshme, e kryesisht nga institucionet e specializuara.

Ndaj nëse ngritja e një paniku që më parë e që vë në diskutim ligjshmërinë e zgjedhjeve apo të rezultateve të saj bëhet mbi baza interesash politike, kjo presupozon se qëllimi nuk është ruajtja e legjitimitetit të zgjedhjeve, por se ka një skenar destabilizimi. Në këtë rast nuk vihet në dyshim vetëm KQZ si institucioni shtetëror që është përgjegjëse për zgjedhjet, por vetë sistemi mbi të cilën ngrihet pushteti që ngrihet mbi votën