Nga Alfred Peza

Xhelal Mziu ka pataksur çdo shqiptar e të huaj, kur vetëm pak orë përpara të dielës së madhe të votimit për zgjedhjet e 25 prillit, ka pranuar ekzistencën e një strukture terroriste vrasëse të ngritur nga PD në emër të gjoja mbrojtjes së votës së lirë apo shitblerjes së saj. Duke kërcënuar, se do ta pësojnë si Pjerin Xhuvani, mjeku i vrarë pak ditë më parë në Elbasan, nga truproja e drejtuesit politik të fushatës së PD në këtë qark.

“I bëj thirrje çdo qytetari të Dibrës të dalë dhe ta mbrojë me gjak, me sopata, me drunj apo çfarë të dalë para kushdo që do përdorë votën e një qytetari. Kemi ngritur grupet e gatshme nga sot dhe në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit”,- deklaroi udhëheqësi politik i fushatës elektorale të PD në qarkun verilindor të vendit.

Reaksioni për videon që u bë menjëherë virale në rrjet, krijoi një presion aq të madh kombëtar dhe ndërkombëtar, se e detyruan Xhelal Mziun të dilte dhe të lexonte si një nxënës i klasës së parë, atë që i kishin shkruar e vënë përpara. Ndërsa pas kësaj, Lulzim Basha sikur të mos kishte ndodhur asgjë, u rikthye në vendin e krimit përkrah Gamend Bardhit, për të përmbyllur fushatën brenda kalsë së Elbasanit.

Si çdo e keqe që e ka pas edhe një të mirë, edhe ky rast përtej gjithçkaje tejet negative, e ka diçka që të ngushëllon. Xhelal Mziu dëshmoi, se është një njeri i “sinqertë”, që bën publik gjithçka mbahet e fshehtë ndër skutat më të fshehta të drejtuesve opozitar. Kjo e ka shndërruar ish kryebashkiakun e Kamzës, në mënyrë krejt të pavetëdijshme, në një zëdhënës të mendimeve të lidershipit real të PD dhe LSI; Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sepse ajo që ai deklaroi në Dibër, nuk është as rasti i parë dhe as një rastësi.

Kjo qasje e tij të kujton tek filmi “Avokati i djallit”, një pasazh kur një jurist tepër i suksesshëm në një provincë të SHBA, bisedon me bossin e ri në Neë York që luhet mjeshtërisht nga Al Paçino. Pyetjes së si ia kishte dalë ti fitonte të gjitha gjyqet e deriatëhershme, avokati i ri e ambicioz, iu përgjigj: Tek muri i banjos së burrave të gjykatës, kishte një vrimë që shihte në sallën e shorteve, nga ku mësoja përbërjen e jurisë. Kështu isha gjithmonë një hap para palës tjetër.

Edhe ju nëse doni të jeni një hap përpara të tjerëve, për të mësuar të vertetat që gatuhen prapa mureve të opozitës sonë, ndiqni se çfarë thotë e bën Xhelal Mziu. Është një truk që mund ta përdorni, për të mësuar se çfarë bisedojnë larg mediave dhe publikut Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Pas kësaj edhe ju do të jeni përpara të tjerëve, për të mësuar hapat që do të hedhi lidershipi i opozitës në të ardhmen, në skenën publike shqiptare.

Nëse do ta kishit përdorur pak më herët këtë truk, mund të kishit mësuar përpara të tjerëve, se Ilir Meta do ti çdekretonte zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 pas djegies së mandateve dhe bojkotimit të opozitës. Më pas nga rrjetet sociale të Xhelal Mziut, do të mësonit se Presidenti do dekretonte një datë të re zgjedhjesh, më 20 tetor. E kur lajmi i nxjerrë nga kryebashkiaku i Kamzës u bë publik nga mediat, Ilir Meta u deturua ta hidhte firmën mbi dekretin e ri, vetëm një javë më përpara: Më 13 tetor!

Pasi zgjedhjet u zhvilluan dhe kryetarët e rinj socialistë të 60 bashkive të Shqipërisë, po bëheshin gati që të të mernin detyrën, kishte shumë dilema. Hamendësime. Tension. Paqartësi e pikëpyetje se çdo të bënin kryetarët e vjetër të bashkive, përfaqësues të opozitës, përballë kësaj situate. Si do të sillej PD? Po LSI? Po Sali Berisha çfarë po mendonte? Lulzim Basha gjithashtu? Po Monika Kryemadhi? Po firmëtari i dekret- çdekreteve në Presidencë?!

Ishte fare e thjeshtë që ta kuptoje këtë. Mjafton të ndiqje se çfarë thoshte Kryetari i Bashkisë së Kamzës, e të dije para të tjerëve, çfarë po gatuante lidershipi opozitës. Mjafton të shihje se si po vepronte Xhelal Mziu, për të kuptuar se çfarë po mendonin ata. E kur e patë dhe dëgjuat se ai nuk do të lëvizte nga zyra, me siguri që jeni shqetësuar pak. Por kur menjëherë pas kësaj, e keni parë ti linte çelësat në zyrë Rakip Sulit, e të ikte pa zhurmë prej aty e keni mësuar se kështu do veprohej edhe në bashkitë e tjera.

Kaq mjafton për të kuptuar, se truku i “Avokatit të djallit”, ka funksionuar deri tani për mrekulli edhe në skenën politike në Tiranë. Kjo na bën që të shohim më qartë, se ndjesa që Xhelal Mziu u detyrua ta lexonte rrokje për rrokje me letër përpara, ishte e “shkruar” nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Pas kësaj, nuk e keni aspak të vështirë që të kuptoni se kush ishte truri, i asaj deklarate të kobshme që doli nga goja e drejtuesit politik të fushatës elektorale të opozitës në Dibër!