Një ndryshim i menjëhershëm ndodh me motin këtë fundjavë. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, të shtunën e deri mesditën e së dielës do të mbizotërojë moti i vranët e më pas do nisin kthjellimet.

Reshjet e shiut do të nisin në veri të vendit të shtunën e gjatë pasdites do të fitojnë intensitet me rrufe në veri dhe në qendër. Lokalisht stuhitë do të shoqërohen edhe me breshër. Në mbrëmjen e të shtunës, reshjet e shiut do përfshijnë dhe Jugun e vendit por me intensitet të ulët.

Që prej orëve të para të ditës së diel parashikohen reshje shiu intensive, shtrëngata e rrufe në të gjithë Veriun, Qendrën e Bregdetin. Parashikohen të rikthehen reshjet e dëborës së dendur që prej mëngjesit te se dieles deri në orët e paradites në Veri- Lindje e Lindje deri 900m.

Në jug e juglindje reshje shiu me intensitet të ulët e përkohësisht mesatar. Prej mesditës reshjet do të përqendrohen në zonat malore me intensitet të ulët për tu ndërprerë plotësisht pasdite.

Era nis nga kuadrati i jugut e kthen të dielën verilindje e veri mesatare e hera herës e vrullshme në bregdet duke u pasuar nga valëzim i forcës 4 dhe 5 ballë.

Temperaturat parashikohet të pësojnë rënie të menjëheshme ditën e diel, rënie e cila do të vijojë në mbrëmje.