Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës ka mbyllur verifikimin e kushteve të sigurisë për kandidatët që konkurrojnë për “Hetues” në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ka vendosur që nga 37 kandidatë, 28 (njëzet e tetë) kandidatë kalojnë kushtet e sigurisë.

Në njoftimin për shtyp, BKH bëri të ditur se 9 (nëntë) kandidatë nuk i kalojnë kushtet e sigurisë .

“Kandidatët e kualifikuar do t’i nënshtrohen trajnimit me një sërë modulesh vlerësimi që duhen kaluar përpara se të çertifikohen. Verifikimi i kushteve të sigurisë u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit të Pavarur të Rishikimit, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri. Në ditët në vijim do të hapet dhe procesi i rekrutimit për 32 (tridhjet e dy) pozicionet “Hetues”, të pa plotësuara”, bën të ditur BKH.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ka uruar kandidatët që kanë kaluar kushtet e sigurisë.

“Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar. Presim së shpejti një thirrje tjetër për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri”, thekson ambasada e SHBA-së.