E ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në dritare.tv, Luljeta Bozo ka dhënë mesazhin e saj për të rinjtë të cilët duan të largohen nga vendi. Sipas saj, në Shqipëri gjen gjithçka dhe të rinjtë mund të krijojnë të ardhmen në vendin ku kanë rrënjët e tyre.

“Fraza që vendi nuk bëhet është e dëmshme dhe nis nga familja. Nëse sot kemi një rini që do të ikë jashtë, të ketë një vend pune në shtet ose të rrijë kafeneve, defekti I parë qëndron te familja. Familja e mëson fëmijën të punojë dhe të ecë përpara vetë , që ta dojë vendin tonë të mrekullueshëm sepse Shqipëria është perlë nga çdo pikëpamje. Nuk braktiset ky vend kur në 28 mijë km katror ti i gjen të gjitha bukuritë e mundshme. Të kesh gjithçka dhe të mos e duash vendin, të shkosh në një vend ku nuk e sheh diellin me sy,është e pashpjegueshme.

Unë nuk jetoj dot pa diell, jemi mesdhetarë, jemi mësuar, nuk jetojmë dot pa diell. Në çdo vend që të shkosh nuk të pret tapeti i shtruar, për të të uruar mirëseardhjen por do të punosh si kafshë,sepse ndryshe nuk jeton dot atje dhe nëse nuk punon more fund. Punë është atje,punë është këtu . Këtu ka një ndryshim, mund të paguhesh më pak, por dhe gjërat janë më të lira se andej. Këtu ke të gjithë rrethin tënd shoqëror, kemi njëri tjetrin dhe është gjë shumë e madhe,.Këtu janë rrënjët dhe kudo janë rrënjët, je tjetër njeri. Këtu janë të gjitha mundësitë, mjafton të bësh një gjë, të gjesh mënyrat për të realizuar objektivin e jetës”.