Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga Covid-19 në mbarë botën tejkaloi 3 milionë, pavarësisht fillimit të fushatës së vaksinimit në shumë vende muaj më parë. Këto të dhëna janë të bazuara në bazën e të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, ku tanimë numri i viktimave tejkalon numri i banorëve të kryeqytetit spanjoll, Madrid.

Vaksinimi ka nisur në më shumë se 190 shtete, ndonëse progresi për ta vënë nën kontroll dallon në pjesë të ndryshme të botës. Përderisa vaksinimi në SHBA dhe në Britani ka filluar të ketë efekt dhe disa njerëz kanë mundësi ta shijojnë jetën pas pandemisë, vendet tjera kanë mbetur prapa dhe po detyrohen të marrin masa të reja izolimi.

Shtetet si Brazili, India dhe Franca kanë marrë masa të reja kufizuese në kohën kur numri i pacientëve nëpër spitale po rritet përsëri nga e ashtuquajtura “valë e tretë” e pandemisë.

Austria planifikon një rihapje të ngadaltë nga maji nën masa të rrepta, pas muajsh mbylljesh nga pandemia që mbyllte restorantet, kafenetë, hotelet. Kancelari Sebastian Kurz tha se hapat e parë drejt një rihapje të sektorëve të turizmit, gastronomisë, kulturës dhe sporteve do të jenë të mundshme nga muaji tjetër.

Italia gjithashtu ka në plan të lehtësojë kufizimet e COVID-19, duke përcaktuar një kalendar të gjerë për rihapjen pas presionit brenda qeverisë dhe nga qytetarët po ashtu. Nga 26 Prilli restorantet dhe baret në rajone me nivele të ulëta të infeksionit do të jenë në gjendje tu shërbejnë klientëve në ambiente të hapura. Teatrot dhe kinematë e jashtme do të rihapen po ashtu.

Më shqetësuese paraqitet situata në Gjermani ku shkalla e incidencës shtatë ditore ishte 160.1 raste për 100,000 njerëz. E ndodhur përballë pamundësisë për të miratuar masa kombëtare kancelarja Angela Merkel i ka kërkuar parlamentit të kalojë një projekt-ligj të ri, që do t’i lejonte asaj vendosjen e masave më të rrepta. Kalimi i projekt-ligjit mund të jetë një luftë për Merkel, me qeveritë e shteteve ngurruese t’i lëshojnë autoritetin qeverisë federale qendrore.

Brukseli në anën tjetër i ka kërkuar Irlandës të marrë në konsideratë lehtësimin e kufizimeve që u kërkojnë shumë udhëtarëve të BE-së të hyjnë në një karantinë hoteli minimale 10-ditore. Pesë vende të BE-së – Austria, Belgjika, Franca, Italia dhe Luksemburgu – janë në një listë të vendeve nga të cilat udhëtarët duhet të paguajnë pothuajse 2,000 euro për karantinë deri në 14 ditë në hotele të sigurta.