Për 23 vite me radhë Lavdrim Krrashi me origjinë nga Dibra, ka shërbyer në Bashkinë e Londrës, duke mbajtur së fundmi detyrën e Drejtorit të Planifikimit Urban dhe Strehimit.

Tashmë ai ka zgjedhur të rikthehet në vendin e origjinës, në Dibër, si kandidat për deputet në listen e Partisë Socialiste, sepse siç thotë ai, dëshiron që Shqipëria të jetë e ardhmja e fëmijëve të tij.

Ai rrëfen në një intervistë për JavaNews se ftesën e Kryeministrit Rama për t’u përfshirë në politikë e ndau fillimisht me familjen e tij që e nxitën të pranonte sepse dëshira e tyre ishte që një ditë të ktheheshin në Shqipëri.

“Siç thoshte edhe Nënë Tereza e madhe, më mirë ndiz një qiri, në vend që të mallkosh errësirën. E nëse secili prej nesh ndez një dritë të vogël për këtë vend të bukur, në vend që të qëndrojë duarkryq duke gjuajtur me fjalë apo baltë çdo punë të tjetrit, errësira pa diskutim që do t’ja lërë vendin dritës. Jam kthyer për të kontribuar modestisht që vendlindja ime dhe Shqipëria të ecë në rrugën e mbarë për të qënë e ardhmja e fëmijëve tanë”, thotë Krrashi.

Krrashi thotë se është i gatshëm t’i shërbejë qytetarëve të Dibrës me përkushtim e përgjegjësi ndërkohë që një mandat i tretë i partisë socialiste nevojitet për të vijuar rrugën e zhvillimit të qarkut.

INTERVISTA: Lavdrim, ju përfaqësoni një hitori të mirëfilltë suskesi të shqiptarëve përtej kufijve. Prej vitesh keni ndërtuar familjen dhe karrierën në Londër, por tashmë riktheheni për të kandiduar në Dibër. A ishte kjo zgjedhje, një thirrje e brendshme për të dhënë diçka nga vetja, për vendin tënd të origjinës?

Lavdrim Krrashi: Kur Kryeministri Edi Rama më kërkoi të kthehem nga Anglia ku jetoj prej 27 vitesh e ku jam integruar plotësisht, e ndava fillimisht këtë ftesë me familjen time, me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi. Ishte emocionuese për mua t’i dëgjoja të më thonin me entuziasëm se po, unë duhet ta bëja këtë. “Bëje babë! Edhe ne duam të jetojmë një ditë në Shqipëri”, më thanë fëmijët e mi me shumë gëzim.
Të gjithë e dimë se sa e bukur është ta thuash apo ta dëgjosh këtë por na takon të gjithëve nga pak që ta bëjmë Shqipërinë të ardhmen e fëmijëve tanë, për të kapërcyer me sukses sfidat. Siç thoshte edhe Nënë Tereza e madhe, më mirë ndiz një qiri, në vend që të mallkosh errësirën. E nëse secili prej nesh ndez një dritë të vogël për këtë vend të bukur, në vend që të qëndrojë duarkryq duke gjuajtur me fjalë apo baltë çdo punë të tjetrit, errësira pa diskutim që do t’ja lërë vendin dritës. Jam kthyer për të kontribuar modestisht që vendlindja ime dhe Shqipëria të ecë në rrugën e mbarë për të qënë e ardhmja e fëmijëve tanë. E them me modesti dhe me shumë punë e këmbëngulje buke besuar e duke mbështetur njëri tjetrin për të përfunduar gjithë punët që kanë nisur në tetë vitet e fundit.

Ju vini nga një eksperiencë në Bashkinë e Londrës duke punuar me politikat e strehimit. Cili ka qënë rrugëtimi juaj njerëzor për të mbërritur deri aty, sfidat dhe përpjekjet?

Unë jam lindur, rritur e arsimuar në Dibër. Kam mbaruar shkollën e mesme dhe universitetin në Tiranë e jam kualifikuar si inxhinier kimist. Në vitin 1994 kam shkuar në Angli për studime pasuniversitare.
Prej rreth 23 vitesh tanimë jam një shërbëtor publik në Bashkinë e Londrës dhe detyra më aktuale është ajo e drejtorit të politikave të planifikimit urban dhe strehimit.
Eksperienca ime atje është një shenjë e vlerësimit intelektual dhe profesional që kam marrë nga ai komunitet. Unë besoj shumë te thënia e vjetër “the sky is the limit”, “qielli është limiti”, e cila më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës në përpjekjet e mia dhe në fakt vijon të më shoqërojë edhe sot.

Si mendoni që do ta vini të gjithë këtë eksperiencë profesionale dhe jetësore, më të mirën që keni marrë prej saj, në shërbim të politikës e të komunitetit që sot i kërkoni votën, atij të Dibrës?

Kandidatët e PS në Dibër e konsideorjnë veten si në një intervistë përballë njerëzve të zakonshëm përgjatë kësaj fushate ku komunikimi me njerëzit është intensiv e dinamik, për të marrë prej tyre problematika që kanë nevojë të adresohen. Të punuarit për një kohë shumë të gjatë në fushën e shërbimeve publike, më ka pajisur sigurisht me durimin e duhur, kurajon për t’i shkuar gjërave deri në fund, dhe për të qënë gjithmonë i gatshëm për ta trajtuar shqetësimin e qytetarëve me shumë ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri, cilësi që do të dua t’i ushtroj edhe në vazhdim.

Ju në fakt jeni një ndër ata themelues të partisë socialiste në fillim të viteve 90 në vendin tinë, konkretisht të FRESSH-it. Si ka qënë për ty rikthimi pas kaq shumë kohësh në këtë familje politike dhe si e shihni potencialin e kësaj force politike?

E vërtetë është, unë jam kthyer për të dhënë kështu kontribut në familjen e vjetër të bindjeve të mia që për shumë njerëz edhe sot mbetet një forcë frymëzuese dhe progresiste. Vlerat që gjej te partia socialiste më kanë shoqeruar edhe mua personalisht përgjatë rrugëtimit jetësor. Unë i përkas komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, i cili gjithmonë ka besuar se po, në vendin tonë ka shpresë dhe se edhe ne, nga përtej kufijve, mund të bënim diçka më shumë për vendin e lindjes.

Megjithatë, gjatë gjithë kohës ju jeni angazhuar në Mbretërinë e Bashkuar për më shumë aktivizëm të organizatave shqiptare për mësimin shqip atje. Pra nuk e keni shkëputur kurrë lidhjen me vendin mëmë, Shqipërinë…. Si e keni parë e vlerësuar rrugëtimin dhe zhvillimin e viteve të fundit të Shqipërisë dhe çfarë vlerash mendon se do ti shtosh si pjesë e vendimarrjes, këtij procesi…?

Në Angli kemi një komunitet fantastik shqiptarësh, ku sidoemos qarku i Dibrës është i përfaqësuar në mënyrë domethënëse. Ky komunitet ia ka dalë të mbajë gjallë mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e vlerave e traditave më të mira shqiptare në Angli. Ne kemi rreth 1000 lektorë në universitete me emër në Angli, përfaqësues që punojnë në sektorin publik e privat, si dhe rreth 3009 biznese të sukseshme të shqiptarëve që e duan punën.

Cilat do të veçoni si ato sfida për zhvillimin e vendit, veçanërisht të Dibrës, për të cilat ju do të angazhoheni me kapacitetin tuaj intelektual për të kontribuar si anëtar i Kuvendit të Shqipërisë?

Drita në fund të tunelit për qarkun është sigurisht ndërtimi i rrugës së Arbrit. Një projekt që do të çlirojë energji të fjetura, të akumuluara me investime në sektorin e agroturizmit, turizmit malor dhe projekte të tjera zhvillimore të cilat do të garantojnë që Dibra të vijojë rrugën e nisur të zhvillimit. Rrugë kjo që nuk do të ketë kthim prapa, për sa kohë të gjithë ne jemi gati për të dhënë më të mirën nga vetja, që gjërat në këtë vend të shkojnë mbarë në interes të qytetarëve tanë.