Analisti dhe gazetari, Mero Baze ka ironizuar shqetësimin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për rezultatin, i cili pasi votoi në Tiranë shkoi në Elbasan për të vijuar fushatën.

Baze përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka publikuar një video të kryedemokratit ku shfaqet duke pyetur disa qytetarë nëse votuan.

“Po të mos kish dërguar një tropojan për të vrarë tre ditë më parë ndoshta do ta kishte më të lehtë sot”, shkruan Baze duke thumbuar Bashën.

Pas votimit në mëngjes në njësinë nr. 8 në Tiranë, kreu i PD-së Lulzim Basha ndodhet në Elbasan, ku po zhvillon takime më qytetarë duke i ftuara ata të ushtrojnë të drejtën e votës.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë së cilës i referohet Baze, ku ka mbetur i vrarë Pjerin Xhuvani ka ndodhur 4 ditë më parë në rrugën “5 maji” në qytetin e Elbasanit, nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare.