Me përfundimin e aeroportit të Kukësit në datë 18 Prill kur ulet edhe avioni i parë, i gjithë fokusi do të shpërngulet në një aeroport tjetër, atë të Vlorës.
Kështu njoftoi në një intervistë për ERTV, Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila theksoi se në datë 20, do të firmoset kontrata koncesionare midis fituesit për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas saj, qeveria Rama ka pasur një qasje strategjike ndaj aviacionit civil shqiptar, ku pas krijimit të kompanisë së parë flamurmbajtëse “Air Albania”, ndërtimi i aeroporteve të reja është një tjetër prioritet, i bazuar në studime të mirëfillta fizibiliteti.

Të dielën, Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit do të presë fluturimin e parë nga Londra me ata që Kryeministri Rama i ka quajtur “pasagjerët VIP, çunat çamarrokë të fejsbukut”. Ky do të jetë një aeroport i dedikuar për kompanitë low-cost, të çmimeve të ulëta.