Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e fshatit Babje në Librazhd.

Në hyrje të fjalës së tij, Balla tha se vendi është kthyer në një kantier ndërtimi për shkak të investimeve të shumta që po bën PS në këtë zonë dhe jo vetëm.

Numri dy i PS shtoi më tej se vetëm falë punës së qeverisë Rama dhe PS, në Librazhd është investuar më shumë se asnjëherë tjetër.

“Ku ishim në 2013? Kishim një shkollë pa çati në Babje dhe e rindërtuam. Filluam punën për transformimin e këtij fshati. Qëllimi im është që të bëjmë një lidhje sa më të shkurtër edhe me fshatin Polis. Zhvillimi i infrastrukturës po na jep sot mundësinë që ne të shkojmë drejt një drejtimi që nuk e kemi pas. Mikpritjen siç e ka Librazhdi nuk e ka asnjë vend tjetër në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë investimet dhe në problematikat e furnizimit me ujë të pijshëm”, tha Balla.

Teksa u ndal tek ndihma ekonomike, Balla theksoi se krahasuar me vitin 2013, sot ky fond është rritur me 7 herë më shumë.

Sa i përket investimeve në shëndetësi dhe procesit të vaksinimit, Balla ndërsa u ndal tek kjo e fundit, u bëri thirrje banorëve mbi 60 vjeç të vaksinohen.

“Na duhet që prej 1 qershorit të hapim Shqipërinë, kufijtë plotësisht. Çfarë kemi arritur të bëjmë deri më tani në Librazhd është vetëm fillimi i një pune që do të zgjasë në çdo cep”, tha Balla.

Në fund, kreu i Grupit Parlamentar të PS kërkoi mbështetjen e banorëve që të votojnë PS në zgjedhjet e 25 prillit.