Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, për Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, zhvilloi një takim me banorët e zonës Shtërmen të qytetit të Cërrikut.

Balla e nisi fjalën e tij duke u premtuar banorëve nisjen e punimeve për kanalizimet e ujërave të zeza brenda pak muajve.

Ai tha më tej se ky problem do të ishte zgjidhur më parë, por këto dy vitet e fundit kanë qenë të vështira për Shqipërinë për shkak të tërmetit dhe pandemisë.

“Na duhen investime në Shtërmen, na duhen investime në Cërrik, po këto investime mund t’i sigurojmë vetëm nëse kemi më shumë të ardhura. Do të vazhdojmë të kemi një vëmendje të shtuar në këtë njësi administrative dhe në këtë bashki. Por, që Andi të ketë mundësi të bëjë gjënë e duhur për Cerrikun, i duhet Edi Rama”, tha Balla.

Numri dy i Partisë Socialiste ironizoi edhe LSI-në, për të cilën tha se nëse punët lihen në dorë të tyre asgjë nuk shkon siç duhet.

“Nëse do ta bësh një punë shkel e shko, jepja LSI-së. Edhe arën t’ua japësh ta punojnë, nuk e bëjnë siç duhet. Nuk del bari po e punoi tokën LSI”, tha Balla.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, u bëri thirrje banorëve të zonës që të bashkohen me Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për të çuar betejat deri në fund.

“Është koha që betejën kundër pandemisë ta fitojmë, betejën e rindërtimit ta fitojmë, atë të reformës në drejtësi ta fitojmë. Është koha e ngritjes së pagës minimale ta fitojmë”, tha Balla.