Mandati i tretë radhazi i Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama ka tërhequr vëmendjen e medias së huaj, që nënvizon edhe faktin se humbësja e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte LSI.

Agjencia gjermane e lajmeve, DPA-”Socialistët në pushtet të kryeministrit Edi Rama fituan zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, duke marrë 49% të votave. Rama ka marrë mandatin e tretë radhazi në detyrë me 74 vende nga 140.

Partia Demokratike e opozitës fitoi 39% të votave dhe 59 vende, ndërsa aleati i saj, Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), fitoi 7% të votave dhe katër vende.

Partia e majtë qeverisëse e Ramës ka arritur të ruajë pjesën e saj të votave dhe numrin e vendeve të saj në krahasim me zgjedhjet e fundit në 2017.

Humbësi i qartë është LSI, e kryesuar nga Monika Kryemadhi, bashkëshortja e presidentit Ilir Meta. Pjesa e saj e votave u përgjysmua dhe ajo humbi 14 vende.

Shqipëria ishte një diktaturë staliniste deri në fillim të viteve 1990. Që nga ajo kohë, vendi ka ndryshuar rrënjësisht. Në 2009, ajo u bë një anëtare e NATO-s. Vitin e kaluar, Shqipëria mori dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.”