Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zbuluar detaje nga negociatat dhe gara për marrëveshjen për aeroportin e Vlorës e cila do të bëhet nga kompania e Behgjet Pacollit. Rama thotë se fillimisht gjërat nuk po shkonin mirë, por erdhi një shqiptar special si Pacolli të shpëtonte të gjithë nga ankthi dhe t’i jepte Vlorës aeroportin. Sipas Ramës, Pacolli hyri në garë pa i thënë askujt.

”Buzëqesh pas një përpjekje shumë të gjatë, aq të gjatë me pengesa aq të shumta sa që Belinda e di shumë mirë, në momente të caktuar fillova ti them, nuk ka mundësi, ka një mallkim, dikush e ka mallkuar këtë projekt sepse sapo zgjidhnim një problem, lindi një tjetër. Ka qenë histori për libër, historia e rrugës sonë për të ardhur deri këtu. Qysh në krye të herës kur filluam negociatën me atë që ndërtoi aeroportin e Stambollit.

Ishte fantastik, me kapacitete të jashtëzakonshme, me fuqi financiare absolutisht të padiskutueshme, por në fund Begjeti e di, kush bën biznes nuk do e me e dit shumë sa i madh është volumi, por do me dit pjesën e vet të fitimit. Në konkluduam që oferta e bërë nga konsorciumi nuk ishte e përshtatshme. U detyruam të mbyllim pa sukses negociatat. Më pak përgatitëm procesin për të dalë në një garë të hapur ndërkombëtare. Dhe e vërteta është që patëm shumë interesim, nga një sërë kompanish që ndërtojnë e operojnë aeroporte në Vlorë, nga Europa deri në Argjentinë. Duke kaluar edhe përmes Lindjes së Mesme. Ishim shumë të bindur që do kishim një garë me shumë operatorë dhe do kishim një zgjedhje, shumë të kënaqshme, por tamam kur gara ishte në proces, ra virusi. Virusi i cili siç e dimë të gjithë mbylli botën, dhe sot e gjithë ditën është e qartë se industria më e goditur nga të gjitha industritë e bombarduara nga armiku i padukshëm është industria aeroportuale.

Të interesuarit na çuan kërkesat për të pezulluar garën, gara u pezullua për t’u rihapur pas verës së shkuar. Mirëpo gjatë kësaj periudhe ndodhi bllokimi i financimeve për industrinë aeroportuale për investime të reja, sepse investimet nga qeveria ishin për pagat e luftës për mbijetesën e sektorit. Kompanitë nuk mund të angazhoheshin, dhe na la përsëri jashtë procesit dhe mesa duket gjërat ndodhin gjithmonë për një arsye. Unë nuk jam hegelian, por në këtë rast duhet të them se ka pasur Hegeli, rastësia është shpata me të cilën domosdoshmëria çan rrugën.

Dhe gjërat rrotullohen në një mënyrë të tillë që një shqiptar special të na shpëtojë ne të gjithë nga ankthi dhe t’i japë Vlorës aeroportin e shumëdëshiruar. S’ka pasur kënaqësi më të madhe në këtë proces, një proces që s’ka pasur qenë fare i mbushur me kënaqësi, por me nervozizëm, kur Belinda më mori në telefon e më tha që baca Behgjet ka hyrë në garë, ne jemi dhe shumë miq, por absolutisht nuk zgjodhi rrugën e një telefonate me mua apo Belindën, këtu ai është në shtëpinë e vet që shiko se unë dua ta bëj, e hyri në garë pa i thënë askujt asgjë, e fitoi garën me një konsorcium që i ka gjithë kapacitetet.

Pa lejen e tij them se çka më tha Belinda nga raporti i komisionit që në të gjitha garat ndërkombëtare të bëra në Shqipëri, gjatë gjithë periudhave, është konsorciumi që nuk ka paraqitur garancira financiare me shprehjen që ne ja u kemi lekët, por ka paraqitur financimin në bllok, që ësthë garanci absolute për faktin se aeroporti qysh sot është 100% i financuar, nuk është kontratë që do e çojë kompaninë nëpër banka”- tha Rama.