Mbi 80 të moshuar janë vaksinuar këtë të martë në Durrës, në kuadër të procesit të vaksinimit kundër COVID-19. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit, duke marrë edhe mendimet e disa prej të moshuarve që u vaksinuan sot në Durrës. Të moshuarit u paraqitën sipas orarit të caktuar në hyrje të Pallatit të Sportit, disa prej tyre të shoqëruar nga nipi apo mbesa. Fillimisht u identifikuan tek hyrja, bënë regjistrimin tek zona e caktuar dhe pritën me qetësi radhën tek zona e pushimit para se të kalonin në zonën e vaksinimit. Në Pallatin e Sportit në Durrës ku është ngritur qendra e vaksinimit antikovid, pjesë e fushatës kombëtare të vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”, ndodhen 10 stenda me vaksinatorë dhe ndihmësvaksinatorë, të cilët presin të moshuarit sipas radhës, duke i dhënë dhe këshillat e duhura.

Po ashtu, pranë ndodhet edhe një urgjencë me mjekët përkatës në rast se ndonjë prej të vaksinuarve do të kishte probleme. Stafi i qendrës bëri të ditur se deri më tani nuk ka patur asnjë rast me probleme, veç një rasti me aritmi, por asgjë shqetësuese. Sipas tyre, asnjë efekt anësor nuk është vënë re. Një zonjë pati aritmi dhe mjekët menjëherë kryen vlerësimet e nevojshme, por më pas mësuan se zonja në fjalë vuante nga aritmia edhe përpara se të vaksinohej, pra nuk ishte efekt anësor i vaksinës.

Një zonjë 91-vjeçare, e shoqëruar nga mbesa, ishte në zonën e pritjes duke respektuar radhën. “Gjyshja ime është 91 vjeç dhe është e pamundur. Kam ardhur ta shoqëroj për të bërë vaksinën. Ne na lajmëroi mjekja e familjes. Erdhëm këtu, bëmë regjistrimin, morëm këshillat përkatëse dhe presim radhën të realizojmë vaksinën”,- u shpreh mbesa e së moshuarës.

Ndërkohë në krahun tjetër të pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, në Durrës, ishin të moshuarit që kishin kryer vaksinën. “Jam 85 vjeç. Jam shumë i lumtur që u vaksinova. Më tha mjekja e lagjes. Erdha sipas orarit që më tha, prita radhën dhe u informova për efektet anësore të mundshme. Tani po pres këtu tek zona e pushimit post vaksinë, ku duhet parë nëse do na japë ndonjë efekt anësor apo jo. Deri tani jam shumë mirë. Vaksina na ndihmon të krijojmë imunitetin e nevojshëm për të luftuar virusin. Duhen bërë dy doza, tjetrën do ta bëjmë pas tri javësh. Vaksina është goditja kryesore që ne i japim këtij virusi, që ndërpret dhe rrugën e zhvillimit të tij më këtej”,- tha i moshuari për ATSH.

“Më tha mjekja e lagjes të paraqitem këtu në orën 11:00. Erdha dhe bëra vaksinën siç më rekomanduan. Tani po pres këtu, po qetësohem pak dhe do të iki në banesën time. Falenderoj qeverinë që na ndihmoj për të bërë vaksinën”, -u shpreh një i moshuar tjetër. “Kur më thanë që do bëni vaksinën, i falenderova tre herë, gati jam i thashë”,- tha një i moshuar tjetër. “Më lajmëroi mjekja e lagjes”, shtoi një tjetër. “Më njoftoi doktoresha e familjes. Është shumë e mirë, më tha se erdhi koha për të bërë vaksinën. Jam shumë i kënaqur nga kujdesi që ka treguar qeveria dhe veçanërisht kryeministri Edi Rama, i jam mirënjohës. Kjo epidemi ka pllakosur në të gjithë botën”,- tha një tjetër i moshuar.

“Unë jam 85 vjeç. Falënderoj qeverinë që krijoi këto kushte dhe na krijoi mundësinë për t’u vaksinuar. Deri sa erdha këtu jam i sigurtë për vaksinën, por sërish duhet të mbrohemi”,- u shpreh një i moshuar.