Arvid Kallacej, i riu i talentuar nga Shkodra, pas përfundimit të Akademisë së Arteve hapi biznesin e tij të poçerive në Farkë, zanat të cilin ua mëson shumë të rinjve çdo fundjavë. Punimet artistike, por dhe utilitare të “Ariart Ceramic”, sot, në vetëm një vit nga nisja e aktivitetit, edhe pse në kohë pandemie, porositen dhe janë ndër më të kërkuarat nga restorantet e kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një vizite në sipërmarrjen e veçantë të të riut shkodran, u shpreh se biznese të tilla gjejnë dhe mbështetje financiare përmes granteve të cilat ndihmojnë në zhvillimin e mëtjeshëm dhe rritjen e tyre.

“Ne investojmë dhjetëra biznese start-up çdo vit në Bashki. Të ftoj të aplikosh,” u shpreh kryebashkiaku, ftesë e cila u mirëprit nga Arvidi. “As vetë s’e kisha menduar që do kisha kaq shumë punë! Tani më duhet një furrë më e madhe,” – tha ai. Veliaj shtoi se një tjetër lehtësi për bizneset e vogla është zerimi i taksës për 8 vitet në vazhdim, ndërsa për punonjësit kryesisht të zanatit qeveria ka planifikuar rritjen më të madhe të pagës minimale, e cila nga 30 mijë lekë parashikohet të arrijë në 40 mijë lekë të reja në muaj.

“Taksën e biznesit të vogël qeveria e ka çuar zero deri në 2029. Ti me shpresë do jesh bërë biznes i madh deri në 2029, por të paktën rehatia e të pasurit taksën e biznesit të vogël zero do vazhdojë. Për pagat e çunave, propozimi ynë që shkojmë nga 300 mijë në 400 mijë lekë me pagën minimale dhe pa taksim është gjë shumë e mire. Rritja me 30% e pagës minimale dhe zero taksa mbi rrogën, janë lajme të mira edhe për zonjat që kemi këtu në Farkë që punojnë në fason, këpuceri, tekstil, apo qoftë edhe artizanat, sepse ndikojnë menjëherë tek shporta ushqimore dhe të ardhurat e familjes,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj. Ai deklaroi se viti 2022, viti i Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë, do sjellë mundësi përmes të rinjve nga e gjithë Europa për shkëmbimin e eksperiencave të frytshme edhe në fusha si poçaria, apo artizanate të tjera.