Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko inspektuan sot punimet në shkollën “Murat Toptani” në zonën e Selitës, e cila po rindërtohet pas tërmetit të 26 nëntorit, 3 herë më e madhe.

Shkolla e re do u shërbejë 360 nxënësve me kapacitete të shtuara, mjedise moderne, 4 laboratorë, palestrën, hapësirë të dedikuar për parashkollorin dhe kushte shumë herë më të mira. Veliaj tha se nuk ka asnjë ndryshim të shkollave në qendër me ato në periferi, të cilat po ndërtohen edhe më të mira.

“Shkollat e reja, sidomos këto që po ndërtojmë në periferi, janë shumë herë më cilësore, shumë herë më të mëdha, më të mira e më të forta. Për 360 fëmijët që deri dje bënin vara-vingo nga Selita në Komunë të Parisit apo në Unazë, duke harxhuar një pjesë të madhe të ditës tranzit lart e poshtë, është një lajm i jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, tha se shkolla “Murat Toptani” është një dhuratë shumë e këndshme, sipas të gjitha standardeve, për të gjithë komunitetin e Selitës.

Veliaj nënvizoi se mezi pret që shkolla e re e rindërtuar të jetë gati deri në verë, për të mirëpritur në shtator nxënësit.

“Dua që vera të vijë me një lajm të mirë, që është një lajm i shkëlqyer për të gjithë zonën. S’ka kohë për pushim. Burrni nuk është të hipësh mbi kofano të bllokosh trafikun, por të ndërtosh shkolla për fëmijët”, tha ai.

Shkolla “Murat Toptani” do ketë një kapacitet prej 360 nxënës, nga të cilët 30 janë parashkollorë. Palestra e do të jetë në dy kate lartësi. Ndërsa, në katin e dytë do jenë 5 klasa, në katin e tretë 6 klasa, si dhe do ketë laboratorë dhe bibliotekë për fëmijët.