Në Evropë, vaksinimi kundër covid-19 ka filluar ngadalë. Vetëm 11 doza për çdo 100 njerëz janë administruar në Bashkimin Evropian, kundrejt 32 në Amerikë dhe 38 në Britani. Evropianët janë kryqëzuar me qeveritë e tyre dhe me Komisionin Evropian, i cili djallosi porosinë e vaksinave për BE vitin e kaluar. Më keq, një valë tjetër infeksionesh duket se po ngrihet në disa vende.

Por ditët e fundit shqetësimeve për shpejtësinë u janë bashkuar edhe shqetësimet për sigurinë. Në 15 Mars Franca, Gjermania dhe Italia u bënë të fundit në një listë në rritje të vendeve Evropiane, tani më shumë se një duzinë, që njoftuan se ishin duke ndaluar përkohësisht përdorimin e një vaksine covid-19 të prodhuar nga AstraZeneca, një kompani farmaceutike britaniko-suedeze.

Vala e pezullimeve u vu në lëvizje nga të dhënat e një rregullatori mjekësor norvegjez që raportoi katër raste të mpiksjes së gjakut tek të rriturit që e kishin bërë vaksinën. Raportime të ngjashme – dhe po kaq të rralla – kanë ardhur nga Danimarka, Italia dhe Austria.

Pra, a është e sigurt për përdorim vaksina AZ? Pothuajse me siguri, po. Zyrtarët kanë qenë të kujdesshëm për të përshkruar pezullimet si masa të përkohshme. Ronan Glynn, zëvendës shefi mjekësor i Irlandës, tha se nuk kishte prova se vaksina kishte shkaktuar mpiksjen. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) kanë thënë gjithashtu se nuk kanë asnjë arsye për të besuar se vaksina është e pasigurt.

Çështja në fjalë, si shumë shpesh në mjekësi, është shkëputja e shkakësisë nga korrelacioni, veçanërisht kur bëhet fjalë për ilaçe të dhëna miliona njerëzve. Mpiksjet e gjakut janë të zakonshme. Po kështu janë, gjithnjë e më shumë, vaksinat Covid-19. EMA llogarit se ka pasur 30 “ngjarje tromboembolike” midis rreth 5 milion njerëzve, të cilëve u është dhënë vaksina AstraZeneca. Që disa njerëz me mpiksje gjaku kanë marrë edhe një vaksinë Covid-19 nuk është, në vetvete, më e jashtëzakonshme sesa fakti që disa prej tyre me siguri do të kenë marrë suplemente vitaminash, ose paracetamol, ose të kenë ngrënë mëngjes. Pyetja është nëse normat janë më të larta nga sa përndryshe pritej – që nuk duket se janë. “Numri i [mpiksjeve të gjakut] te njerëzit e vaksinuar nuk është më i lartë se numri i parë në popullatën e përgjithshme”, thotë EMA.

Të dhënat nga tjetërkund janë po aq qetësuese. Në provat klinike të përdorura për të vlerësuar vaksinën, 38% e atyre që u është dhënë doza kanë raportuar të paktën një efekt anësor, kryesisht gjëra të tilla si dhimbje në vendin e injeksionit, një dhimbje koke ose ethe kalimtare. Po kështu ndodhi me 28% të atyre që ishin në grupin të cilit iu bë një injeksion me ujë fiziologjik. Më pak se 1% e secilit grup vazhdoi të vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë. Nga ata që e bënë, më shumë prej tyre u ishte dhënë dozë placebo sesa vaksina e vërtetë.

Të dhënat e testeve mbështeten nga eksperienca e botës reale në vendet e tjera. Deri në 28 shkurt, Britania kishte administruar 9.7 milion doza të vaksinës AstraZeneca dhe 11.5 milion doza të një vaksine tjetër, të prodhuar nga Pfizer, një kompani amerikane, në partneritet me BioNTech, një kompani gjermane. Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Kujdesit Shëndetësor, rregullatori i ilaçeve në Britani, mendon se të dy vaksinat shkaktojnë midis tre dhe gjashtë raportime të efekteve anësore për çdo 1000 doza, pothuajse të gjitha të lehta. Dyqind e njëzet e shtatë njerëz vdiqën pak pasi morën një dozë të vaksinës Pfizer-BioNTech; 275 pasi morën një të AstraZeneca. Edhe një herë, asnjëra nga të dhënat nuk duket e pazakontë dhe vdekjet vështirë se do të lidhen me vaksinat. Rreth gjysmë milioni njerëz vdesin në Britani çdo vit, dhe të moshuarit dhe të sëmurët ishin të sëmurë edhe para se të merrnin vaksinën.

Por mund të ketë më shumë për të ngritur pyetje, sesa thjesht çështje të imunologjisë. Një faktor është politika e vaksinave. Në janar, AstraZeneca paralajmëroi BE se nuk do të ishte në gjendje të furnizonte aq vaksina sa kishte shpresuar, duke shkaktuar një grindje të fortë, që u bë pjesë e një mosmarrëveshje më të gjerë në lidhje me marrëdhëniet e Britanisë me BE pas Brexit (vaksinat AstraZeneca prodhohen në Britani, ndër të tjera). Një artikull në një gazetë gjermane, bazuar në një burim anonim, ngriti dyshime – më vonë u vërtetua i pasaktë – në lidhje me efektivitetin e vaksinës tek njerëzit mbi 65 vjeç. Këto pretendime u amplifikuan më vonë nga Emmanuel Macron, presidenti i Francës, i cili sugjeroi se vaksina ishte “pothuajse joefektive” tek të moshuarit. (Z. Macron më vonë ndryshoi pozicionin e tij, ndërsa Franca u përpoq të përshpejtonte fushatën e vet të vaksinimit).

Një problem tjetër është ai që ekspertët e quajnë “hezitimi për t’u vaksinuar ” në Evropë. Polemikat mbi vaksinën AstraZeneca mund të kenë hedhur dyshime për të. Kjo, nga ana tjetër, mund të ketë bërë që zyrtarët e shëndetit publik të dëshirojnë të shihen si njerëz seriozë, kur flitet për shqetësimet e sigurisë. Përvojat me vaksinat e tjera tregojnë se dyshimet, pasi mbillen, mund të jenë të vështira për t’u hequr qafe. Ideja që vaksina e kombinuar e fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) shkakton autizëm u bazua në një dokument të vetëm që raportoi një grusht shoqatash anektodike. Ekzistenca e një lidhjeje të tillë tani është hedhur poshtë plotësisht. Teoritë e konspiracionit MMR megjithatë lulëzojnë. Shumë vende të pasura vaksinojnë fëmijët kundër virusit të papillomës njerëzore (HPV), i cili shkakton kancer të qafës së mitrës. Pas raportimeve anektodike të efekteve anësore në 2013, Japonia pezulloi programin e vet të vaksinimit HPV. Asnjë provë për sigurinë e vaksinës HPV nuk ka arritur ta rivendosë. Një dokument vlerëson se rezultati ka qenë vdekja e midis 5,000 dhe 5,700 grave japoneze, të lindura midis viteve 1994 dhe 2007.

Pasi u përpoqën të sigurojnë vaksinën AstraZeneca në janar, pjesë të mëdha të Evropës tani kanë mbetur me rezerva që nuk po përdoren. Ndërkohë, zyrtarët e shëndetit publik janë kapur në një gjendje shtrëngimi. Nëse njerëzit tashmë kanë dyshime për një vaksinë, një pauzë e përkohshme mund të shihet si një angazhim sigurues për rreptësi dhe kujdes nga ana e tyre. Ose thjesht mund t’i shtojë këto dyshime, duke bërë që më shumë njerëz të shmangin vaksinën, duke zgjatur pandeminë dhe duke vrarë disa që përndryshe do të kishin jetuar. Në fund të fundit, një nga “efektet anësore” të covid-19 është vdekja. Ndodh në vetëm nën 1% të rasteve.