Nga Alfred Peza
Opozita shqiptare e ka humbur garën e madhe për zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare, përpara se të shkojë në kutitë e votimit më 25 prill. Ka aq shumë të dhëna për këtë, sa mjafton që të shohësh faktet e dukshme, për të kuptuar se kush do të mbërrijë e para në finish dhe kush nga “makinat elektorale” do të mbetet pas.

Gjithçka nisi përpara fillimit zyrtar të fushatës, atëherë kur u mësua se PD dhe LSI, nuk do të ishin në të njëjtin koalicion para zgjedhor me njëra tjerën, sikundër ishin përbetuar për 4 vjet me radhë sëbashku në opozitë. E për rrjedhojë, “Opozita e Bashkuar”, është paraqitur në këtë garë si një “Opzitë e Ndarë”, në dy lista kandidatësh për deputetë.

Mungesa e Monika Kryemadhit në mitingun e hapjes së fushatës nga ana e Lulzim Bashës në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, thjeshtë sa i vuri vulën e thatë krizës së brendshme të opozitës. E cila vuri interesat e liderëve, mbi interesat e partive dhe interesat e tyre mbi interesin e popullit opozitar, për të dalë e bashkuar përballë Edi Ramës në këtë garë.

Lulzim Basha ka përdorur orët e fundit një sllogan që duket se ia kanë mësuar pëmendësh, këshilltarët e huaj për fushatën e tij elektorale. Ai nuk po thotë më se do ta ndryshojë Shqipërinë pas 25 prillit, sepse dështoi në mënyrë spektakolare, për të ndryshuar në radhë të parë ekipin e tij kombëtar, me të cilin ka zbritur në pistën e garës.

Ndaj ka nisur të thotë se Edi Rama është e shkuara, e ai vetë, e ardhmja. E vetmja gjë që ka harruar të shojë e për të cilën janë kuriozë shqiptarët është përgjigja e pyetjes: Nëse Edi Rama qenka e shkuara, atëherë çfarë i bie të jenë Sali Berisha, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Shpëtim Idrizi, Artur Roshi… Nëse këta janë e ardhmja, e sigurtë është që pas kësaj, gjithkush uron që ajo të mos vijë!

Shqiptarët do ta votonin Lulzim Bashën, në kushtet kur ai do ti ofronte atyre tani në kulmin e pandemisë globale, një strategji më të mirë vaksinimi duke dhënë garanci të plota se ai do të jetë i realizueshëm pas 26 prillit. Por Lulzim Basha as nuk ka thënë, e as nuk ka ndërmend që të flasi qoftë edhe një fjalë të vetme, për kryeçështjen që ka të bëjë me shëndetin e qytetarëve të këtij vendi!

Lulzim Basha mirë që nuk ka një plan për vaksinimin e popullsisë që të mbrohet nga covid-19; mirë që nuk thotë një fjalë të vetme për shqetësimin Nr. 1 të çdo lideri politik sot kudo në botë, por të paktën të bënte diçka tjetër. Të tregonte se ai kujdeset për shëndetin e tyre, duke zhvilluar një fushatë elektorale model, përmes zbatimit me rigorozitetin maksimal të të gjitha protokolleve që flasin për distancimin social dhe masat parandaluese ndaj invektimit nga virusi vrasës.

Kryetari i opozitës sonë jo vetë që nuk e bën këtë, por po shndërrohet me koshiencë të plotë në një bombë pandemike shëtitëse nëpër Shqipëri, a thua se më 25 prill gara është se kush infekton më shumë qytetarë dhe jo kush fiton më shumë vota!

Shqiptarët do ta votonin Lulzim Bashën, nëse do i ofronte atyre për rindërtimin nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, një plan tjetër shumë më të mirë se ai që po zbaton Edi Rama. Sigurisht, duke treguar më parë faturën reale të saj dhe mbi të gjitha garancitë se kandidati për Kryeministër ka siguruar që tani, më shumë para se Kryeministri.

Por Lulzim Basha nuk tha dhe nuk ka ndërmend të thotë qoftë edhe një fjalë të vermet për rindërtimin, provë e sigurtë se ai nuk ka fare një plan kaq jetik për të sotmen dhe të ardhmen e atyre dhjetëra mijëra qytetarëve e familjeve të tyre, të goditura nga njëra prej fatkeqësive më të rënda natyrore të dekadave të fundit në Shqipëri.

Opozita mirë që është një ekip pa makinë gare dhe pa pilot, por këtë radhë, është edhe pa timon. E dinë shumë mirë edhe vetë këtë, ndaj po zhvillojnë fushatën më të dobët që një opozitë ka zhvilluar në këto 30 vjet. Nuk kanë faj. Është shumë e dhimbshme për një skuadër, që e di se e ka të humbur garën, ende pa u futur për parë në pistë!