Thomas Strakosha rrëfehet për The Guardian. Portieri i kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën prestigjoze angleze nga grumbullimi i kuqezinjëve duke zbuluar edhe disa nga objektivat dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.

Theksin portieri i Lazios i cili e ka humbur vendin e titullarit jo vetëm te bardhekaltrit por edhe në përfaqësuesen kuqezi e vuri te ndeshja e së dielës mes Shqipërisë dhe Anglisë ndërsa Premier Leaguen e cilësoi si kampionatin më të fortë në botë në të cilin dëshiron ta shohë veten në të ardhmen.

“Të përballemi me Anglinë është shumë entuzaizmuese për ne dhe një moment i madh për të gjithë, pasi mendoj se Anglia ka disa nga talentet më të mëdha në botë dhe se Premier League është kampionati më i fortë në botë. Një fitore? Mendoj se do të ishte e pabesueshme, sidomos tani me situatën e COVID-19. Do të ishte diçka shumë e madhe për tifozët, pasi ka qenë periudhë shumë e vështirë për ta”, theksoi fillimisht Strakosha.

26-vjeçari po kalon një periudhë të vështirë teksa ka humbur konkurencën me veteranin Pepe Reina dhe gjasat janë që ai të mos rinovojë me bardhekaltrit ndërkohë që sirenat e largimit janë më prezente se kurrë.

Së fundmi për Strakoshën ka shfaqur interes West Ham, me klubin londinez që kërkon ta transferojë në Premier League.

“A më tërheq ampionati anglez? Më pëlqen se si luajnë në Premier League. Ata luajnë aq shpejt, saqë gjatë një ndeshje goditet shumë herë porta dhe një portier ka shumë punë për të bërë. Mua më pëlqen të jem gjithmonë aktiv gjatë një ndeshje, pasi kur skuadrat krijojnë shumë raste të jepet mundësia të tregosh vlerat dhe sfida të tilla të rritin adrenalinën. Unë besoj se në Premier League luhet futbolli më i mirë: Ka shpejtësi dhe përmbysje rezultatesh gjatë sfidave. Sheh ndeshje ku rezultati është 3-0 deri në minutën e 88-të e pastaj përfundon 3-3. Ka momente të çmendura në Premier League dhe tifozët janë kaq afër fushës, është e pabesueshme. Do të dëshiroje të luaje 2 ndeshje në ditë për ndjesinë e jashtëzakonshme që të jep. Kur kam qenë atje për të luajtur miqësore kundër skuadrave angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Të gjithë e kanë ëndërr të luajnë në Premier League”, nënvizoi Thomas Strakosha.

26-vjeçari i cili e ndoqi nga stoli fitoren minimale të kuqezinjëve në Andorra, foli për ëndrrën Katar 2022, të cilën Strakosha shpreson ta bëjë realitet.

“Te Shqipëria ka lojtarë që vijnë nga vende të ndryshme me stil të ndryshëm futbolli. Nëse do të jemi të zgjuar, mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe bëjmë kombinimin perfekt në skuadër. Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe veteranë, ndaj kemi një grup të mirë.E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani, është të jemi të pjekur aq sa duhet dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, që të bëjmë realitet ëndrrën tonë për të shkuar në Botëror. Jemi një skuadër e talentuar dhe me punën e mirë që po bën edhe trajneri Reja, mund të arrimë gjëra të mëdha në këto eliminatore”, theksoi në fund të fjalës së tij për The Guardian, portieri kuqezi.