A janë opsion vaksinat ruse dhe kineze për COVID-19 në Shqipëri? Kjo ishte pyetja që solli diskutime mes mjekëve në emisionin “Repolitix” në Report Tv, ku në përgjithësi ishin në një mendje që Shqipëria duhet të sjellë sa më shumë vaksina që janë efikase pa parë origjinën nëse është ruse apo kineze pasi populli ka nevojë të vaksinohet dhe e vetmja gjë që intereson është efektshmëria e tyre. Sipas tyre skepticizmi që ndodh edhe nga EMA për certifikimin e Sputnik-V apo vaksinën kineze Sinopharm ndodh për arsye gjeo-politike. Edhe në një sondazh të bërë nga Report Tv, 60.8% e qytetarëve që votuan dëshironin që Shqipëria të ishte e hapur ndaj vaksinës ruse e kineze, ndërsa 31.9% ishin kundër.

Për kirurgun Engjëll Bejtaj vaksinat nuk duhet të etiketohen në bazë të origjinës, dhe se Shqipëria nuk ka kapacitete t’i refuzojë dhe se populli ka nevojë të vaksinohet. “Edhe rusët edhe kinezët kanë një teknologji shumë të përparuar edhe në këtë fushë. Në një kohë kur je i rriskuar nga një infeksion nuk mund të bësh naze. Ne s’kemi asnjë mundësi të diskutojmë në këtë fushë dhe për ne EMA është një institucion i besueshëm. Unë do të thoja që qeverisë i takon të bëjë një politikë për të mos i etiketuar vaksinat për nga origjina. Vaksina është një tjetër gjë, ashtu siç marrim medikamente edhe nga Turqia edhe nga shtete të tjera. Dhe në politikën e zgjidhjes së këtij problemi nuk duhet humbur kohë.’- tha Bejtaj.

Edhe mjeku Ilir Alimehmeti tha se EMA do të certifikojë shumë shpejt edhe vaksinë ruse duke parë procesin e vaksinimit në vendet e BE, që po ecën me ritme të ngadalta në një kohe që të infektuarit janë në shifra të larta. “Edhe pse EMA thotë diçka nuk do të thotë që shkruhet në gur, kjo mund të ndryshojë rrugës. Duhet të jemi dinamik. Të gjitha vaksinat , 4 të certifikuara perëndimore dhe ajo ruse e kineze kanë pluset dhe minuset e veta. EMA shumë shpejt do të certifikojë atë ruse”, tha Alimehmeti.

Po vendet e BE nga po shohin? Vaksina ruse e kinezë duket se është një opsione dhe për to. Mjekët Aurora Dollenberg nga Gjermania dhe Albert Troci nga Italia thanë në lidhje Skype se kanë prioritet vaksinën ruse, por po shikohet edhe ajo kineze. Ndërsa Spanja mbetet ende besnike e vaksinave perëndimore tha mjeku Kita Sallabanda për “Repolitix”. Në Turqi, mjeku Gëzim Dauti tha se po përdoret masivisht vaksina kineze, ndërsa në Preshevë mjeku Driton Salihu tha nëse në vend përdoren të 4 vaksinat ajo Pfizer, AstraZeneca dhe ajo kineze e ruse. Ai tha se 70 % e popullsisë janë vaksinuar me atë kienze dhe thuajse asnjë qytetar me vaksinën ruse.