Ndryshimet digjitale në shërbime për përfaqësitë diplomatike jashtë vendit dhe sigurimin sa më të shpejtë të shërbimeve për qytetarët kanë sjellë lehtësira në akses të shërbimeve dhe shkurtim të orëve të pritjes.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka duke folur për vijueshmërinë e punës për digjitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore të dhënies së informacionit tha se do niset me heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille.

“Ne do të vazhdojmë punën për dixhitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore e dhënies së informacionit. Duke filluar fillimisht procesin për heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille në të cilën përfshihen të gjitha vendet e BE-së apo realizimin e pagesës online për të gjithë shërbimet që ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania cka shihet si një nevojë imediate”, është shprehur ministrja Xhaçka.

Lëshimi i certifikatave është shtrirë në 12 shtete dhe synohen edhe shtete të tjera u shpreh ajo.

“Së pari, ka pasur një shtim të ndjeshëm në numrit të shërbimeve që ofrohen nga përfaqësitë tona, duke ofruar plot 44 shërbime.
Lëshimi i çertifikatave të gjendjes civile është shtrirë në në 12 shtete tjera, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicrër dhe do të shtrihet gjatë këtij viti në 9 vende të tjera.

Ndërkohë që ofrohet sot edhe Vërtetimi mbi Verifikimin e Gjendjes Gjyqësore (Dëshmi Penaliteti), Vërtetimi mbi Verifikimin e Lejes së Drejtimit, Vërtetimi i Vetë Deklarimit për Humbjen, Vjedhjen, Bllokimin dhe Dëmtimin të Pasaportës dhe Kartës Identitetit edhe para nëpunësit konsullor, etj”, viji Xhaçka.

Një tjetër objektiv i shpalosur prej shefes së diplomacisë shqiptare ishte dhe fakti se “që brenda vitit 2022 do të bëhet plani i hapjes së përfaqësive të përbashkëta konsullore me Kosovën, por edhe hapja e përfaqësive të reja në SHBA dhe Kanada”.