Burgu i Spaçit, ishte tmerri i diktaturës.

Të burgosurit që punon në minierë çdo ditë përballeshin me pyetjen po sot kush e ka radhën të vdesë në minierë. Torturat c’njërëzore bënë që 800 të burgosurit në maj të 1973 të çoheshin në revolte, dhe të ngrinin flamurin kombëtarë pa yllin me 5 cepa. Për këtë veprim Bedi Çoku, u dënua edhe me 23 vjet të tjera heqje lirie.

Çfarë i kishit bërë ju Shqipërisë?

“Çfarë mund t’i bëjë Shqipërisë një bujk? Fshati jonë ishte në Luginën e Karavastasë, kështu që babai jonë përveç se kishte të zhvilluar bujqësinë në 100 Ha tokë, merrej dhe me tregtinë e peshkut dhe u bë i pasur. Babain tim e arrestuan në 1950 sepse vinin diversantë dhe mësonin se kush janë të pasurit dhe kë mund të rekrutojnë. E dënuan 15 vjet, e shpallën kulak, i morën dhe pasurinë. Ndërsa ne na hodhën në rrugë me rrobat e trupit ”

Bedriu Çoku nuk kishte kryer asnjë vepër kriminale, pavarësisht kësaj ai në burg u fut kur ishte 20 dhe doli nga qelia kur kishte mbushur 43 vjeçc.

“Më kanë arrestuar fshehurazi. Më mbajtën 3 muaj e 3 ditë me batanije në kokë në birucat e 313.”

Në këto tre muaj për farë pyeteshe?

Ata më pyesnin që t’i ke krijuar një grup të madh me 70 veta.

E kishe krijuar t’i këtë grup?

Jo, unë nuk kisha bukë të haja e jo më të rrëzoja komunizmin.

Për sa vite u dënove?

Radhën e parë u dënova bashke me vëllanë për agjitacion politik në Gjirokastër. Vëllanë e dënuan 10 vjet, mua ma lanë 7. Kështu na çuan në Spaç. Unë në Spaç 5 vjet punova në minierë, ndërsa vëllai jashtë.

Pikërisht atëherë kur Bedriu ishte shumë pranë lirimit, në Spac u ngrit flamuri i revoltës.

Kur bëmë revoltën e Spaçit aty u arrestova përsëri bashkë me 80 veta. Filloi revolta si fillim duke rrahur policinë, pastaj morëm për 3 ditë nën komando burgun. Për ta sensibilizuar më shumë situatën dhe jashtë dyerve të burgut ngritëm flamurin shqiptar pa yll.

Ku e gjete flamurin?

Morëm copën e një jorgani të kuq, shqiponjën e pikturoi një shok.

Nuk kishe frikë nga pushkatimi?

Siç po vuanim ne atje ishim gati të vdisnim në çdo moment dhe në galeri të mos ktheheshim më.

Bedriu më të vëllanë Caushin, qëndruan në të njëjtat burgje për 22 vjet, por nuk u takuan asnjë ditë për më shumë se 2 dekada.

“U dënova 23 vjet, vëllai 20 vjet nga aty na çuan në burgun e Burrelit. Në 1979 arrestuan dhe vëllanë tjetër. Ne kemi qenë 3 vëllezër njëkohësisht në burg.

Sa vite burg ka bërë familja juaj?

23 kam bërë unë, 22 vëllai vogël, 8 vetë tjetri, 11 baba. 64 vjet burg në total.

Familja Çoku u dënua pse ishte e pasur, ndërsa disa të tjerëve liria u ish hequr se ishin të ditur.

Më the që atje në burg kishte intelektuale. Sa gjuhë të huaja mësove dhe si?

Unë atje mësova anglisht, frëngjisht, italisht dhe gjermanisht.

Si mësove?

Po atje në burg me shokët se nuk ke çfarë të bësh. Ne nuk dilnim. Unë për 15 vjet nuk kam parë hëna dhe yje me sy. Kështu që mësova. Kam qenë në dhomë më Pjetër Arbnorin për 12 vjet, atje kisha shokë që dinin 6 gjuhë të huaj. plus që priftërinjtë kishin kulturë të madhe.

Kur dole çfarë bëre?

Ika në shtëpi në mbrëmje. Nëna më pa më përqafoi dhe i ra të fikët.